Dita e Kushtetutës, Haradinaj: Ftoj qeverinë të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese

Kosovo's Prime Minister Ramush Haradinaj talks during an interview withe Reuters in Pristina, Kosovo, October 16, 2017. REUTERS/Hazir reka

Me rastin e Ditës së Kushtetutës, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se është krenar që Kosova ka një kushtetutë moderne e të avansuar, sipas tij, që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit.

“Sot Kosova shënon një ndër ditët më të rëndësishme të shtetësisë së saj, ditën e miratimit të Kushtetutës. Jemi krenarë që kemi Kushtetutë moderne e të avancuar që është shkruar mbi parimet më të larta të njerëzimit duke lartësuar të drejtat e njeriut, garantimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, demokracinë vibrante, kontrollin dhe balancën e pushteteve, ekonominë e tregut të lirë dhe sundimin e ligjit”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Haradinaj theksoi se kjo kushtetutë është motori i demokracisë dhe zhvillimit, por edhe mburojë e fuqishme ndaj çdokujt që rrezikon sistemin me apetite të autokracisë.

I pari i AAK-së tha se fton qeverinë të tërhiqet nga sjelljet që bien në kundërshtim me kushtetutën.

“Ftoj edhe këtë qeveri që të tërhiqet nga sjelljet kundërkushtetuese dhe ta ruajnë sigurinë juridike të cilën e ndërtuam me vite. Siç thuhet edhe në Kushtetutë, pushteti i Qeverisë buron nga Kushtetuta, andaj edhe çdo sjellje kundër saj e humb legjitimitetin dhe legalitetin qeverisës”, ka shkruar Haradinaj.

Ai shtoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës mori shpirtin e saj nga populli paqedashës dhe nga skena politike, e cila, sipas tij, deri tash respektoi me dinjitet vendimet e Gjykatës Kushtetuese edhe atëherë kur ato nuk u konvenuan grupeve politike.