Dita e Evropës, Maqedonia dhe trikoja prej leshi

Në Evropë është e njohur edhe metafora e trikos prej leshi. Të cilën sa herë që BE-ja ballafaqohet me kriza, analistët e rikujtojnë në shkrimet e tyre. Mirëpo, trikos me firmën “Maqedoni” i kanë ikur ca fije dhe i janë hapur vrima. Nëse nuk bëhet asgjë për të qepur vrimat, trikoja do të shndërrohet në një lëmsh prej leshi. Rezultati përfundimtar – do të mbetemi pa triko.

Muhamer Pajaziti

9 maji është ditëlindja e Evropës, ditë kur ideja për një Evropë të bashkuar, dikur vetëm një ëndërr në mendjen e filozofëve, filloi të bëhet realitet.
Falë mendjeve të ndritura, liderëve vizionar, Evropa e cila dy herë u shkatërrua dhe shpartallua nga dy luftëra të tmerrshme, gjatë gjysmës së parë shekullit të 20 –të filloi të mendoj bashkimin.

Ministri i jashtëm francez , Rober Shuman, qe i pari që e hodhi idenë bashkimit dhe integrimit të Evropës. Më 9 Maj 1950, ai krijoi bazat mbi të cilat 6 shtetet themeluese ndërtuan Bashkësinë Evropiane të Thëngjillit dhe Çelikut, e cila më vonë u shndërrua në Bashkim, dhe tani vazhdon të paraqesë projektin më unik dhe më të suksesshëm të integrimit rajonal në botë. Ky projekt, që kishte për qëllim sigurimin e paqes në kontinentin e shkatërruar nga dy luftërat botërore. Që atëherë e deri tani ka qenë konsideruar si ditëlindje e Bashkimit Evropian dhe festohet çdo vit si Dita e Evropës.

Por, pse është me rëndësi që edhe ne në Maqedoni ta kujtojmë, shënojmë dhe festojmë këtë ditë, pikërisht në këtë kohë, kur vendi gjendet buzë greminës, kur po përballemi me keqqeverisje, korrupsion të hatashëm, ekonomi jofunksionale dhe shumë probleme tjera.

A jemi gati për Evropë, kur akoma përballemi me gjyqësi selektive e të politizuar, kur mohohen të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera. Kur gjuha më e lashtë e një populli, quhet gjuha e 20 për qindshit.

Ndoshta është mirë që qeverisja aktuale, të mësojë se në këtë ditë, popujt e këtij kontinenti, të cilët për shekuj me radhë kishin zhvilluar beteja të përgjakshme, vendosën të bashkohen, por pa humbur cilësitë e tyre të veçanta ose individualitetin e tyre të lavdishëm, kulturën, traditën etj.

Kjo është dita, kur evropianët e kishin kuptuar se duhet të ketë fushëbeteja tjera, sheshe të hapura për idetë siç thoshte, Victor Marie Hugo.

Kreu i qeverisë dhe njerëzit e tij për rreth duhet të kuptojnë se në Evropë nuk mund të shkohet duke qenë dhunues i të drejtave dhe lirive të njeriut, duke mos respektuar vlerat kulturën dhe traditën e fqinjëve, duke mos e njohur vetveten.

Maqedonasit duhet të kuptojnë se të drejtat e shqiptarëve, por edhe komuniteteve tjera, janë sikur analogjia e biçikletës, e njohur dikur në Evropë, kur integrimi evropian shihej si i ngjashëm me ngjarjen e biçikletës. Duhet t’u japësh këmbëve në pedale, përndryshe rrëzohesh. Pra në momentin ku këto të drejta ngecin biçikleta rrëzohet dhe projekti i krijuar nga Titoja do të shkatërrohet.

Në Evropë është e njohur edhe metafora e trikos prej leshi. Të cilën sa herë që BE-ja ballafaqohet me kriza, analistët e rikujtojnë në shkrimet e tyre. Mirëpo, trikos me firmën “Maqedoni” i kanë ikur ca fije dhe i janë hapur vrima. Nëse nuk bëhet asgjë për të qepur vrimat, trikoja do të shndërrohet në një lëmsh prej leshi. Rezultati përfundimtar – do të mbetemi pa triko.

Le ti lëmë metaforat, Maqedonia, lidershipi i saj, por edhe faktori ndërkombëtar me urgjencë duhet të hartojnë një strategji për të dalë nga kjo situatë.
Amnistia dhe zgjidhja e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, në gjithë territorin e vendit, një marrëveshje e re shqiptaro-maqedone, zgjidhja e kontestit me bullgarët, trajtimi i barabartë edhe i komunitete tjera pakicë, janë disa çështje që duhet zgjidhen me urgjencë, dhe nga të cilat maqedonasit nuk humbin asgjë, përkundrazi tregojnë vullnetin, pjekurin dhe gatishmërinë e tyre për tu bërë pjesë e familjes evropiane.
Më 9 maj Kovacevski dhe “partnerët” e tij shqiptarë do të duhej të uleshin e ti bisedonin këto gjëra, në praninë e faktorit ndërkombëtar. -Të rikujtohen pak se cili ishte qëllimi i Shumanit, pas dy luftërave që kishin shkatërruar Evropën duke lënë gjurmë dhe pasoja të rënda tek popujt e saj.