Dita Botërore e Fëmijëve, kryeparlamentari Gashi: Të punojmë që çdo fëmijë të rritet i mbrojtur, i barabartë dhe me mundësi të vërteta

Me rastin e Ditës Botërore të Fëmijëve, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut u organizua aktiviteti tradicional “Parlamenti i Fëmijëve”, një ngjarje që synon t’i japë hapësirë dhe zë gjeneratës më të re. Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, përmes një mesazhi publik, theksoi rëndësinë e kësaj dite dhe rolin e institucioneve në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, në tempullin e demokracisë, duke vijuar një traditë të bukur u organizua ‘Parlamenti i Fëmijëve’, një hapësirë ku zëri i fëmijëve dëgjohet dhe vlerësohet”, shkroi Gashi.

Ai theksoi se kjo ditë shërben si rikujtesë për angazhimin e vazhdueshëm institucional që çdo fëmijë të gëzojë në mënyrë të plotë të drejtat e tij.

“Në frymën e sloganit të sivjetshëm, ‘Dita ime, e drejta ime’, të punojmë që fëmijët të rriten të mbrojtur, të barabartë dhe me mundësi të vërteta për të ndërtuar të ardhmen e tyre”, u shpreh ai.

Gashi garantoi se Kuvendi mbetet i angazhuar në mënyrë të pandalshme që mirëqenia dhe të drejtat e fëmijëve të jenë në qendër të politikave shtetërore.

“Kuvendi mbetet i përkushtuar për të siguruar që të drejtat e fëmijëve janë prioritet i padiskutueshëm dhe se nevojat e tyre janë misioni jonë”, theksoi ai.