Disa vende të BE-së bëjnë thirrje për rritjen e prodhimit të vaksinave

Pesë vende të Bashkimit Evropian (BE) i bënë thirrje bllokut që të sigurojë fonde për shtimin e prodhimit të vaksinave kundër COVID-19 dhe që të përshtatin programet e vaksinimit me llojet e reja të virusit.

Letra e nënshkruar nga kryeministrat e Spanjës, Belgjikës, Danimarkës, Lituanisë dhe Polonisë, në të cilën kërkohen më shumë pajisje prodhimi iu dërgua presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel dhe liderëve të tjerë evropianë para samitit të liderëve të BE-së që do të mbahet përmes video-konferencës më 25-26 shkurt, transmeton Anadolu.

Duke theksuar rëndësinë e punës së përbashkët me Komisionin Evropian për trajtimin e problemit të kapaciteteve prodhuese, në letër thuhet se, “Ne duhet të punojmë ngushtë me të gjithë prodhuesit e mundshëm të vaksinave në Evropë, duke rritur partneritetin publiko-privat”.

Ndërsa vendet e BE-së, të cilat filluan vaksinimin kundër COVID-19 në dhjetor të vitit 2020, deri më tani janë shumë prapa synimeve të tyre, ata po përjetojnë probleme të logjistikës, personelit dhe furnizimit.

“Ne duhet të jemi të gatshëm t’i shohim hapur mënyrat e mundshme dhe nevojën për të siguruar fonde për lehtësimin e përpjekjeve. Qasja duhet të reflektojë se nuk duhet të lejojmë që ta humbasim këtë betejë”, thuhet më tej.

Duke theksuar urgjencën e përforcimit të kapaciteteve të prodhimit të vaksinave në Evropë, në letër po ashtu thuhet se, “Ne duhet të sigurojmë mbështetjen e duhur për prodhuesit me bazë në Evropë në rast se shfaqen probleme të papritura gjatë procesit të prodhimit. Duhet të adaptohen pajisjet ekzistuese të prodhimit”.

BE deri më tani ka pranuar 40.7 milionë nga 106 milionë doza të vaksinave që pret të marrë në tremujorin e parë të vitit. Ajo është përqendruar në prodhimin e vaksinave me 16 fabrika në BE për shkak të vonesave në shpërndarjen e vaksinave.

BE ka bërë marrëveshje me gjashtë kompani për të siguruar afërsisht 2.3 miliardë doza vaksine.

Në letër thuhet se samiti i jashtëzakonshëm i BE-së këtë javë vjen në kohën e duhur.

“Qasja në kohë e Evropës për vaksinat e mjaftueshme mbetet një sfidë e pazgjidhur. Pavarësisht nga zhvillimi i shpejtë dhe i paprecedent i vaksinave të reja me cilësi të lartë, vështirësitë e prodhimit janë duke vazhduar dhe po çojnë në vonesa të mëdha”, thuhet në letër.