Disa vatra aktive të zjarrit në Shqipëri, vihen nën kontroll flakët në Kalimash

Zjarri mbi tunelin e Kalimashit në Shqipëri është vënë nën kontroll, ndërkohë raportohet edhe për vatra të reja zjarri në pjesën jugore. Policia tha se që nga 25 korriku kanë arrestuar 15 persona nën dyshimin për zjarrvënie të qëllimshme.

Kështu duket sot maja e shkrumbuar e malit mbi tunelin e Kalimashit. Sipas komisionit te mbrojtjes civile përsa i përket zonës Kalimash – Thirr, mbi tunel pjesa nga ana e Kukësit është shuar dhe është vënë nën kontroll ndërsa kritike është pjesa nga ana e Fanit. Prefekti i Kukësit Kuçana tha se në një asnjë moment nuk është ndërprerë lëvizja e makinave në tunelin e Kalimashit.

Një helikopter deri tani ka bërë 9 rrugë dhe zjarri u vu nën kontroll. 66 efektivë e 9 zjarrfikëse janë future në operacion në Malzi. Shumë shpejt zjarret do vihen nën kontroll”, tha Zenel Kuçana, prefekti i Kukësit.

Për shuarjen e zjarrit mbi Kalimash ndihmuan edhe pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës. Ministri i mbrojtjes së Shqipërisë Niko Peleshi tha se gjatë ditës pritet që zjarri në majën e Rrunës të vendoset në kontroll.

Gatishmëria është e lartë, sot situata është më e qetë falë ndërhyrjes së autoriteteve. Dua të falënderoj strukturat që janë në krye të punës, gjithashtu falënderoj ministrin e Kosovës Armend Mehaj i cili ka qenë i gatshëm për të na mbështetur. Besoj që sot do ta vendosim në kontroll të plotë zjarrin ma majën e Rrunës”, theksoi Niko Peleshi, ministër i Mbrojtjes.

Policia shqiptare njoftoi se që nga 25 korriku kanë arrestuar 15 persona, ndërsa ndaj dy të tjerëve është vënë në kërkim

Në vlerësim të situatës së krijuar nga zjarret, prej datës 25 korrik deri më datën 10 gusht 2021, si rezultat i punës hetimore të bërë nga strukturat e Drejtorive Vendore të Policisë në të gjithë vendin janë arrestuar 15 persona, janë proceduar penalisht 16 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 persona”, theksoi Ylli Vasili, Drejtor i Rendit Publik në Policinë e Shtetit.

Teksa vatrat e zjarrit u shuan në Dukat të Vlorës, një e re është shfaqur në afërsi të pishave të Llogorasë. Forca të shumta të shërbimeve zjarrfikëse janë ngjitur në mal për shuarjen dhe neutralizimin e flakëve. Njëkohësisht edhe forcat e ushtrisë janë rikthyer në zonë. Dyshimet e para janë për zjarrvënie të qëllimshme. Zona pranë Llogorasë ishte një nga vatrat kryesore të zjarrit në fundjavë. Por, pas ndërhyrjes nga ajri me helikopter u bë e mundur të evitohej rreziku.