Dirk Jan Kop: Vlerësimi për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të jetë individual

Mund të jetë problem nëse edhe më tutje disa anëtare të Bashkimit Evropian insistojnë që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të jenë në një pako. Vlerësimi duhet të jetë individual dhe ai vlerësim do të qojë në pozicionin që në këtë moment të shohim hapësirë që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim, e nuk shohim hapësirë për Shqipërinë. Kjo është qasje e bazuar në merita tha ambasadori holandez Dirk Jan Kop në një intervistë për emisionin “Trilling” në TV 24.

Sipas tij, ajo që të tjerët në Union kanë qasje të ndryshme dhe dëshirojnë që këtë çështje ta trajtojnë në pako, mund të jetë problem përsëri.

Në pyetjen se kur realisht mund të fillojnë negociatat e BE-së me Maqedoninë e Veriut, diplomati holandez tha se qëndrimi i tyre është i qartë dhe se pozicioni i tyre është bazuar në bazë të meritave.

“Ne vendet i vlerësojmë individualisht dhe ai vlerësim na solli në pozicionin që në këtë moment të shohim hapësirë që Maqedonia e Veriut t’i fillojë negociatat për anëtarësim, e të mos shohim hapësirë për Shqipërinë. Kjo është qasje e bazuar në merita. Ajo që të tjerët në Union kanë qasje të ndryshme dhe dëshirojnë që këtë çështje ta trajtojnë në pako, përsëri mund të jetë problem, por përballemi me faktin se do të marrim raport të ri nga Komisioni, deri në fund të këtij muaji, raporte të reja për të dyja vendet”, tha ambasadori holandez.

Ai shton se do të ishte shumë i befasuar nëse vlerësimi i tyre për Maqedoninë e Veriut do të ndryshohej.

“Ende mendoj se do ta marrim raportin nga Komisioni se ka hapësirë që vendi t’i fillojë negociatat”, tha ambasadori holandez Dirk Jan Kop.