Shkruan: Fitim NUHIU
Në vitet e fundit, diplomacia shqiptare po dëshmon një qasje të re, më të hapur dhe më pragmatike ndaj shqiptarëve në rajon, veçanërisht në Luginën e Preshevës.
Ambasada e Shqipërisë në Beograd, nëpërmjet angazhimit të ambasadorit Bardhyl Canaj, ka treguar një ndryshim të dukshëm në mënyrën e përfaqësimit të shtetit shqiptar jashtë kufijve të tij.
Roli dhe rëndësia e kësaj pranie aktive janë të shumëfishta: nga fuqizimi i pozitës së shqiptarëve në Luginë, tek dalja nga kornizat e ngurta të diplomacisë tradicionale. Ambasada Shqiptare ka shfaqur një gatishmëri të re për të qenë pranë qytetarëve, për t’u dëgjuar dhe për të krijuar lidhje më të drejtpërdrejta me institucionet lokale dhe shoqërinë civile. Në këtë kontekst, terreni kulturor dhe ai sportiv kanë fituar një dimension të veçantë. Aktivitetet, nismat dhe iniciativat që po mbështeten nga ambasada në Beograd janë tregues të një vizioni modern, që synon jo vetëm mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Serbi, por edhe prezantimin e tyre pozitiv në arenën më të gjerë rajonale.
Kjo qasje bashkëkohore vërehet gjithashtu edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional me ambasadat shqiptare në Prishtinë, Podgoricë dhe Shkup. Angazhimi i koordinuar i këtyre përfaqësive përforcon faktin se diplomacia shqiptare po funksionon në mënyrë të sinkronizuar, duke ndjekur objektivat e Tiranës zyrtare për integrimin evropian dhe bashkëpunimin rajonal.
Është e rëndësishme të theksohet se Kushtetuta e Shqipërisë parashikon detyrimin e shtetit shqiptar për kujdesin dhe mbështetjen e shqiptarëve jashtë kufijve kombëtarë, sidomos atyre që janë autoktonë. Kjo përgjegjësi ka rëndësi të veçantë për Luginën e Preshevës, ku shqiptarët nuk gëzojnë të njëjtin status politik si bashkëkombësit e tyre në Maqedoninë e Veriut, Kosovë apo Mal të Zi.
Në vazhdën e kësaj fryme të re diplomatike shqiptare vlen përmendur roli i Ambasadës së Shqipërisë në Maqedoni, që sikur çalon paksa, dhe sikur del nga kjo frymë me apo pa arsye kur dihet se pritshmëritë e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kanë qenë më të mëdha nga Ambasada e Shqipërisë në Shkup, që të jetë më aktive në proceset e rëndësishme që po kalojnë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Në paraqitjet publike deklarativisht theksohet se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë që zëri i tyre të dëgjohet qartë në Tiranë dhe po aq qartë të reflektohet në institucionet e Shkupit, porse konkretisht lënë shumë për të dëshiruar në përgjegjësinë dhe misionin e tyre diplomatik. Diplomacia, në këtë kuptim, nuk është vetëm teknikë negocimi, takime me shtrëngim duarsh sa për foto, por ushtrim misioni në terren real të asaj që përfaqëson dhe çështje përgjegjësie përkatëse. Publikisht kanë shfaqur anshmëri partiake politike, gjë që është e papranueshme në diplomaci. Jo rastësisht e përmendëm shembullin e ambasadorit z. Canaj më lart që operon në Beograd që koordinohet me komunat shqiptare në Luginë, me Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi, që respekton institucionet dhe krerët e tyre, pavarësisht nga cila parti vijnë, dhe aspak nuk lë hapësira që të ketë anime partiake, si edhe tani së fundi synon të ketë bashkëpunime të reja me shoqërinë civile që operojnë në Luginë.
Aktivizimi i Ambasadës Shqiptare në Beograd ka marrë një dimension institucional dhe profesional të ri. Projektet konkrete, nismat për bashkëpunim si edhe realizimin e shumë projekteve, fjala vie, Panairi i Parë i Librit Shqip në Luginë (qershor 2025), aktivitetet e muajit të Nëntorit në Luginë (Nëntor Lugine 2025) dhe oferta e mbështetjes për Këshillin Kombëtar Shqiptar në Serbi për bursa falas për studentët luginas janë dëshmi e një përkushtimi real, të matshëm e vlerësues. Kjo është diplomacia që shqiptarët në rajon kanë nevojë ta ndjejnë jo vetëm përmes deklaratave, por edhe përmes veprimit konkret, bashkëpunimit të ndërsjellë dhe përfshirjes aktive në çështjet e tyre komunitare.
Në fund, qasja pragmatike e Ambasadës Shqiptare në Beograd nën drejtimin e ambasadorit Bardhyl Canaj përfaqëson një model të mirë se si duhet të funksionojë diplomacia moderne, zatën edhe përmbush detyrimin e vet ligjor dhe kushtetues:
– të jetë afër bashkëkombasve të vet që të jenë të integruar në shtetin që jetojnë duke ruajtur shpirtin e tyre autokton e identitar;
– të jetë efektive në terren dhe në harmoni me vizionin kombëtar për një rajon më të integruar dhe më bashkëpunues.



