Në kuadër të një vizite zyrtare treditore në Maqedoninë e Veriut, Joe DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, udhëheqës të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, u pritën sot në një takim të suksesshëm në Ambasadën Amerikane në Shkup.
Nesër, më 13 qershor, në ora 14:00, Universiteti i Tetovës do t’u akordojë atyre titullin më të lartë akademik, Doctor Honoris Causa, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në themelimin e universitetit dhe në avancimin e çështjes shqiptare. Më 14 qershor, DioGuardi do të jenë ligjërues nderi në ceremoninë e diplomimit të UT-së për vitin 2025.
Po ashtu, të shtunën në ora 17:00, në një ceremoni solemne në hotelin Holiday Inn në Shkup, Joe dhe Shirley DioGuardi do të shpallen Qytetarë Nderi të Komunës së Çairit dhe do të promovojnë librin e tyre: “Përpjekja për Lirinë Shqiptare dhe Fundi i Jugosllavisë: Kongresisti Joe DioGuardi dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane 1985–1993”.
Ky nderim është një shprehje mirënjohjeje për kontributin historik të çiftit DioGuardi në mbështetje të shqiptarëve në Ballkan, përpjekjet për të drejtat e tyre kombëtare dhe lidhjen e pazëvendësueshme mes popullit shqiptar dhe SHBA-së.(INA)