Dimitrievski: Kompetentët kanë qenë në dijeni të testimit

nspektorati sanitar dhe shëndetësor do të hetojë nëse ka lëshime dhe përgjegjësi eventuale pas takimit në Kumanovë, ku nikoqir ishte kryetari i qytetit Maksim Dimitrievski i cili priti kryeministrin teknik, zëvendëskryeministrin për çështje evropiane dhe ministrin e shëndetësisë, pa u treguar se është testuar për Covid 19. Nga Qeveria njoftojnë se pasi të zbatohet procedura e inspektimit, publikisht do t’i japin detajet, nëse dikush ka vepruar në kundërshtim me rregullat epidemiologjike. Por pasi kryetari i Kumanovës publikisht njoftoi se është pozitiv me Kovid 19, edhe kryeministri teknik Oliver Spasovski hyri në vet- izolim. Para se të shkojë në karantinë dyjavore, ai incizoi video në godinën e Qeverisë. Videoja ishte bërë sipas protokollit për mbrojtje, sigurojnë nga Qeveria.

Qeveria:

“Videoja e kryeministrit Spasovski është incizuar në momentin kur kryeministri e mori rekomandimin nga epidemiologët që të hyjë në izolim shtëpiak, pas kësaj, ai menjëherë hyri në vet- izolim. Gjatë incizimit të videos janë zbatuar masat më të rrepta për mbrojtje dhe mbajtje të distancës përkatëse”.

Kryetarit të Komunës së Kumanovës, analizat i janë bërë të dielën. Rezultatet se është pozitiv i mori dje, apo vetëm një ditë pasi që në Kumanovë në një mbledhje i priti krerët e shtetit. Dimitrievski në një reagim në sotëm Facebook thekson se në asnjë moment nuk do të lejonte që të rrezikojë shëndetin e dikujt me sjelljen e tij.

Rezultatet e testimit që për herë të dytë u bënë për tërë shtabin dhe njerëzit e angazhuar në rajone me rrezik të lartë i kemi pritur pesë ditë. Takimi në Kumanovë me përfaqësues qeveritarë nuk u realizua me ftesën time, por me kërkesë të Qeverisë. Informacioni se vazhdimisht kryhen kontrolle ndaj shëndetit të personave të Shtabit të Krizës, është publik dhe e dinë të gjithë anëtarët e Shtabit dhe institucionet e Ministrisë së Shëndetësisë në nivel lokal. Shtrohet pyetja nëse ndiqen algoritmet epidemiologjike të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, si është e mundur që deri më tani nuk jemi vlerësuar si të rrezikut të lartë sepse është mëse e qartë se ne jemi infektuar nga person që ka pasur virus. Hetimi le ta konstatojë situatën faktike, lëshimet eventuale dhe përgjegjësinë”-theksoi Maksim Dimitrievski, Kryetar i Kumanovës.

Sipas informacioneve të Alsat, vlerësimi nga Komisioni për sëmundje infektive, kryeministri teknik Spasovski dhe kryetari Dimitrievski kanë qenë në një distancë prej 70 deri 80 centimetra pa maskë mbrojtëse. Për shkak të kësaj, Spasovski duhet të qëndrojë në karantinë 14 ditë. Për ministrat Filipçe, Ademi dhe Zëvendëskryeministrin Osmani, Komisioni arriti në përfundim se ata mbanin maskë mbrojtëse, kanë mbajtur distancën e tyre dhe nuk rrezikojnë bartjen e virusit. Rekomandimi është që nëse ata kanë probleme me frymëmarrjen, patjetër të testohen për KOVID 19.