Mbrëmë Lautaro Martinez ishte njeriu i mbrëmjes në derbin e Milanos, kur shënoi dy gola për skuadrën e tij.
Ylli argjentinas i skuadrës së Inter, Lautaro Martinez vazhdon të jetë në mesin e emrave më të lakuar, për shkak të dilemave për të ardhmen e tij.
Lautaro tash e sa kohë lidhej me një largim të mundshëm nga Inter, por gjërat duket se po ndryshojnë për të.
Madje, golat e mbrëmshëm kanë bërë që pëlqimi për të të shtohet edhe më shumë nga tifozët e Inter, por edhe drejtuesit e klubit.
Tani, në mediat italiane shkruhet për një dilemë të madhe të Inter; të shitet apo të mbahet Lautaro?
‘Zikaltërit’ nuk janë të kënaqur me kontinuitetin e Lautaro këtë sezon, përkundër faktit se argjentinasi ka shënuar 19 gola në 42 paraqitje (1 gol për çdo 143 minuta).
Lautaro së fundmi ka rinovuar kontratën e tij me Inter, për një qëndrim deri në vitin 2026. Ai nuk ka më një klauzolë liruese prej 111 milionë eurove.
Inter thuhet se kërkojnë 70-80 milionë euro për kartonin e tij. Dilema vazhdon të jetë aty. Asgjë nuk dihet për të ardhmen e Lautaro Martinez.