Dijana Toska: Kujtesa nuk është luks diplomatik

Shkruan: Dijana Toska

Sugjerimi i Ambasadorit të Shqipërisë që të lexojmë librin e ish-ministrit Fërçkovski për të mësuar nga e kaluara dhe për t’u përballur me sfidat e së ardhmes është thellësisht i papërshtatshëm dhe fyes për kujtesën kolektive të shqiptarëve në këtë vend.

Për ne, e kaluara nuk është material për analizë të ftohtë akademike. Është dhimbje. Është përvojë e jetuar nga ngjarjet e rënda në Bit Pazar, te represioni ndaj Universitetit të Tetovës, te dhuna dhe ndjekjet ndaj qytetarëve që mbronin të drejtat dhe simbolet e tyre kombëtare. Këto nuk janë teori. Janë plagë.

Të paraqesësh sot si autoritet moral një figurë të lidhur me ato periudha, pa asnjë distancë kritike dhe pa asnjë ndjeshmëri ndaj viktimave, është minimum cinizëm dhe mungesë serioziteti diplomatik.

Zotni Ambasador, para se të na tregoni se nga kush duhet të mësojmë për të ardhmen, njihuni më thellë me historinë e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, ndoshta atëherë nuk do të mund ta trajtoni me kaç komoditet protokolar një libër, një takim nga i cili qenket fascinuar.

Është përgjegjësi morale dhe detyrim ndaj atyre që e kanë paguar historinë me jetë dhe dinjitet. E ardhmja nuk ndërtohet duke relativizuar historinë. Ajo ndërtohet mbi të vërtetën e jetuar.

Harresa mund të jetë komode, por nuk është opsion.

Kujtesa është detyrim nuk është luks diplomatik.
DT