Digjet vetura e serbit që konvertoi targat në RKS

Një automjet i llojit “Volkswagen” me targa 02 – 626 – FL, është djegur mbrëmë rreth mesnatës në Leposaviç. Dëmet janë vetëm materiale.

Burime të KosovaPress-it bëjnë të ditur se ngjarja lidhet me regjistrimin e automjetit në targa RKS ditën e djeshme dhe se automjeti është djegur qëllimshëm nga autorë deri tani të panjohur.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branisllav Radoviç.

Një ditë më parë në Leposaviç ishte djegur automjeti i një efektivi policie gjithashtu.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat konsiston në riregjistrimin e automjeteve që përdorin targa të lëshuara nga Serbia.

Vlerësohet se 10.000 targa me akronime të qyteteve të Kosovës – sikurse PZ, KM, PR, UR e të ngjashme – qarkullojnë në veriun e banuar me shumicë serbe.