Digjet makina e efektivit të policisë në Pogradec, dyshimet e para

Një mjet është përfshirë nga flakët mëngjesin e së enjtes në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në lagjen 3 të qytetit, ndërsa mjeti që ishte i parkuar i përket një efektivi policie. Sipas të dhënave paraprake dyshohet për ngjarje aksidentale.

Policia ka marrë kamerat e një hoteli përballë për të parë nëse kemi të bëjmë me ngjarje aksidentale apo të qëllimshme.

Përmes një njoftimi zyrtar policia bëri me dije se është djegur automjeti tip “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit Th. H., (me detyrë punonjës policie pranë Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë).

Nga këqyrja paraprake, dyshohet se zjarri mund të ketë rënë për shkaqe aksidentale në pjesën e brendshme të motorit të automjetit, i cili është djegur pjesërisht.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të rënies së zjarrit.