Dibra rrezikon të mbetet pa gjykatë të veten: BDI kundërshton propozim-ligjin për gjykatat

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Dibër kundërshton fuqishëm draftin aktual të Propozim-Ligjit për Gjykatat, i cili rrezikon ta lërë Dibrën pa gjykatë të pavarur.

Sipas Nenit 28 të projektligjit, Gjykata Themelore e Dibrës do të humbasë statusin e saj si institucion i pavarur dhe do të kthehet në një “departament” të varur administrativisht nga Gjykata Themelore e Kërçovës.

Kjo do të thotë, në praktikë, se qytetarët e Dibrës rrezikojnë trajtim të pabarabartë. Ndërkohë që qytete të tjera të vendit do ta ruajnë statusin e gjykatës kryesore, Dibra po lihet mënjanë – një pabarazi që nuk gjen justifikim as gjeografik, as demografik.

Vendimet për Dibrën do të merren nga Kërçova. Sipas Nenit 109, gjyqtarët dhe stafi aktual administrativ do të kalojnë zyrtarisht nën strukturën e Kërçovës. Kur gjyqtarët dibranë të sotëm të dalin në pension, vendet e reja të punës nuk do të hapen më për Dibrën, por për Kërçovën. Vetë orari i punës së gjyqtarëve në Dibër do të vendoset nga udhëheqja e Kërçovës.

Dibra rrezikon të mbetet vetëm me ndërtesën, pa vendimmarrje. Buxheti, menaxhimi i lëndëve dhe qendra e vendimmarrjes do të zhvendosen jashtë komunës — duke e lënë godinën e gjykatës si një hapësirë thjesht fizike, pa kompetenca reale.

Reforma në drejtësi duhet t’i afrojë institucionet te qytetarët, jo t’i largojë. Dibra dhe qytetarët e saj meritojnë qasje të barabartë dhe të drejtpërdrejtë në drejtësi – jo varësi nga një qytet tjetër.