Dibër, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka mbërritur në 40

Dibra gjendet ende në situatë alarmante, për shkak të numrit të personave të infektuar me virusin korona dhe atyre që janë si të dyshuar dhe në vet-izolim. Kryetari i Komunës Hekuran Duka thotë se po e menaxhojnë mirë situatën, por thekson se kanë nevojë që ekipi mjekësor të përforcohet edhe nga një gjinekolog dhe anesteziolog.

Në spitalin e Dibrës është adaptuar stacion special për trajtimin e infeksionit me Virusin Korona. Atje kemi ekip mjekësor të specializuar i përforcuar edhe me doktorë të cilët u dërguan nga klinika infektive. Gjithashtu do të ketë kërkesë që sot të vjen edhe një gjinekolog dhe anesteziolog animator të cilët janë shumë të nevojshëm sepse Dibra ka vetëm një gjinekolog – tha Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës.

Duka thotë se lëvizja e qytetarëve në ditët e fundit është shumë më e ulët. Në qytet hyjnë dhe dalin vetëm kamionët të cilët furnizojnë shitoret me produkte ushqimore dhe higjienike, si dhe kamionët e fabrikave që prodhojnë mallra në Dibër. Ndërsa personat e izoluar shërbehen nga vullnetar të Kryqit të kuq.

Deri tani për artikuj ushqimor nuk ka aspak problem. Distribuimi i ushqimit deri tek pacientët të cilët janë të izoluar, janë në karantinë shtëpiake, ata të cilët kanë nevojë paraqiten në kryqin e kuq dhe vullnetarët e kryqit të kuq ua ofrojnë të gjitha shërbimet, si dhe dhënien e ushqimit, barnave dhe nevojave të tjera. Kështu që çdo gjë shkon përmes kryqit të kuq, vullnetarëve që i ka ai – u shpreh Hekuran Duka, kryetar i Komunës së Dibrës.

Kryetari i Komunës së Dibrës Hekuran Duka, apelon deri tek të gjithë bashkëqytetarët e tij që të rrinë në shtëpi, të mos dalin pa nevojë dhe të respektojnë orën policore. Në Dibër ka 40 persona të infektuar me Virusin Korona, prej të cilëve 26 janë në mjekim shtëpiak në qytetin e Dibrës, kurse 13 janë në Klinikën infektive në Shkup. 167 persona janë në izolim shtëpiak pasi kanë pasur kontakt me persona të infektuar dhe duhet të rrinë në karantinë 14 ditë. Ndër to ka edhe 14 punonjës shëndetësor. Ndërsa siç njoftojnë familjarët, mbrëmë në orët e vona, një person nga Dibra i infektuar me virusin korona ka ndërruar jetë në SHBA.