Gjatë festave të fundvitit në Dibër, si dhe në rajonet e Zhupës dhe Rekës, erdhi një numër i konsiderueshëm mërgimtarësh nga shtetet e Evropës. Pjesa më e madhe e tyre kishte ardhur nga Italia, Gjermania, Zvicra dhe vendet e Beneluksit, por këtë vit prania e tyre nuk solli shumë deviza në rrjetin tregtar dhe në objektet shërbyese të rajonit.
Tani, kur pothuajse të gjithë janë kthyer në shtetet nga ku erdhën, tregtarët dhe pronarët e restoranteve, kafiterive dhe objekteve të tjera afariste vlerësojnë se, edhe pse në rajonin më perëndimor të vendit erdhën rreth pesë mijë mërgimtarë, shpenzimet e tyre ishin shumë më të ulëta krahasuar me vitet e kaluara. Sipas tyre, problemi kryesor qëndron te çmimet e larta që janë të pranishme në rrjetin tregtar dhe në objektet afariste.
Nga këmbimoret e Dibrës bëjnë të ditur se këtë fundvit është përgjysmuar këmbimi dhe shpenzimi i devizave. Në një nga këmbimoret e qytetit thonë se nuk janë këmbyer as 50 për qind e devizave në euro, krahasuar me vitin e kaluar. Pronari i kësaj këmbimoreje, F.T., tha se mërgimtarët dukshëm kishin deviza, por u treguan shumë të rezervuar pasi panë çmimet në shitoret dibrane.
M.S., një mërgimtar dibran 48-vjeçar që punon në Gjermani, tha se është shumë i habitur nga çmimet e larta të produkteve dhe shërbimeve në Dibër. “Çmimet e ushqimit, restoranteve dhe kafiterive janë të njëjta, madje edhe më të larta se në Frankfurt. Kjo nuk ka logjikë, pasi pagat mujore këtu janë shumë më të ulëta. Një kafe kushton një euro, po aq sa tek ne. Buka pothuajse ka të njëjtin çmim si në Gjermani, ndërsa për të mbushur një shportë në market duhen mbi 100 euro. Nuk e di si mbijetoni këtu në Dibër dhe në Maqedoninë e Veriut”, tha ai për gazetën KOHA.
Biseduam edhe me disa të rinj që punojnë dhe jetojnë në Itali, të cilët i takuam në një kafiteri në sheshin Skënderbeu. Besimi, Arifi dhe Sokoli kishin ardhur nga Italia. “Jetojmë në Bassano dhe atje çmimet janë ndoshta edhe më të ulëta se këtu në Dibër. Kjo situatë ishte një barrierë për të shpenzuar më shumë euro, pasi kuptuam se çmimet janë shumë të larta. Prandaj i kufizuam shpenzimet”, thanë ata.
Pronarë të disa marketeve në Dibër shprehen të pakënaqur me qarkullimin para dhe pas Vitit të Ri. Sipas tyre, një situatë e tillë nuk është regjistruar më parë. “Erdhën, por shpenzuan shumë pak”, tha Besim R., pronar i një shitoreje në Dibër.
Në Dibër takuam edhe mërgimtarë që punojnë në Zvicër, por që kishin ardhur te familjarët e tyre në komunat rurale të Qendër Zhupës dhe Mavrovë-Rostushës. Edhe ata thanë se çmimet në Maqedoninë e Veriut janë shumë të larta. Sipas tyre, kjo situatë nuk është e pranishme vetëm në Dibër, por edhe në Gostivar, Tetovë dhe Shkup. “Ishim këto ditë edhe në qytete të tjera të vendit dhe lartësia e çmimeve është shqetësuese”, thanë ata.
Faktikisht, çmimet e larta në pothuajse çdo sferë ndikuan drejtpërdrejt në shpenzimet më të ulëta të mërgimtarëve. Mërgata dibrane është e madhe dhe paraqet një infuzion të rëndësishëm për ekonominë lokale dhe për familjet, por këtë fundvit ky ndikim ishte dukshëm më i vogël. /Koha/






