Sfidë për procesin e regjistrimit të popullsisë në Kosovë, që do të organizohet nga shtatori i këtij viti, do të jetë regjistrimi i komunitetit serb dhe përfshirja e diasporës.
Agjencia e Statistikave të Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e popullsisë, i cili do të organizohet nga 1 shtatori deri më 16 tetor të këtij viti.
Drejtori i Departamentit për Statistika Sociale dhe të Popullsisë, Avni Kastrati, bëri të ditur se janë finalizuar formularët me pyetjet e regjistrimit, ndërsa foli edhe për përgatitjet e tjera.
“Është zhvilluar aplikacioni, është zhvilluar një pilot i gjerë dhe dy testime. Në përgjithësi ato gjerat e nevojshme paraprake kanë përfunduar pjesa dërmuese e tyre”, tha ai.
Por, për procesin e regjistrimit të popullsisë, mbetet sfidë regjistrimi i komunitetit serb, tha Kastrati, ndërsa theksoi se kanë pasur një fushatë sensibilizuese duke vizituar të gjitha komunat edhe ato në veri të vendit.
“Ne besojmë se është në interes të të gjithë atyre që të marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë. Edhe në fushatën tjetër që do të pasojë në muajt në vijim, ne do t’i informojmë të gjitha komunitetet. Në aspektin e legjislacionit, nëse duhet penalizuar apo ndëshkuar dikë që nuk merr pjesë në regjistrim është sipas ligjit, por kur është një komunitet i tërë, është sfidë. Kemi një eksperiencë nga viti 2011, sidoqoftë ASK-ja dhe institucionet qeveritare do të krijojnë të gjitha kushtet e nevojshme për të marrë pjesë në regjistrim të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, theksoi Kastrati, pëe Radio Kosovën.
Kastrati tha se një nga sfidat e procesit është edhe përfshirja e diasporës, derisa bëri të ditur se janë përpjekur që të mbulojnë edhe këtë pjesë në regjistrim.
“Ne kemi menduar që të përfshihet edhe diaspora, ndërsa jemi në diskutim për fazën e përfshirjes së tyre. Një metodë është grumbullimi i të dhënave përmes të të afërmve të tyre këtu në Kosovë dhe tjetra është përmes një aplikacioni online, për ata që nuk kanë të afërm në Kosovë”, tha ai.




