Diagnoza e Arbën Xhaferit sot

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Paralajmërimi i Arbën Xhaferit sot tingëllon si diagnozë, jo si mendim politik: në shtetet multietnike, demokracia e thjeshtë e shumicës shndërrohet në mekanizëm dominimi. Dallimi është vetëm në metodë – dikush e imponon me forcë, dikush me vota dhe me “gishta” në parlament.

Tre dekada më vonë, realiteti në Maqedoninë e Veriut tregon se shqiptarët politikisht kanë mbetur në pikën ku e la Xhaferi. Ata vazhdojnë të kërkojnë: barazi reale, demokraci konsensuale, pjesëmarrje të vërtetë në vendimmarrje.

Por shpesh kjo bëhet më shumë si slogan politik sesa si projekt i qartë kushtetues e institucional i shpjeguar në mënyrë teorike dhe praktike. Në anën tjetër, elita politike maqedonase, pavarësisht rotacioneve partiake vazhdon të funksionojë brenda të njëjtit mentalitet: shteti si pronë e shumicës, shqiptarët si faktor numerik, jo si bashkëthemelues.

Kjo është logjika e majorizimit dhe etnocentrizmit institucional, e veshur me gjuhë formale demokratike. Kërkesat aktuale shqiptare – kryeministër shqiptar, përfaqësim i plotë në ekzekutiv, vendimmarrje e përbashkët, parlament bikameral – nuk janë retorikë emocionale.

Ato janë përpjekje për ta materializuar në mekanizma konkretë atë që quhet demokraci konsensuale: asnjë vendim madhor pa pëlqimin e dy komuniteteve kryesore, ndarje reale e pushtetit, barazi në shpërndarjen e burimeve dhe zhvillimit.

Kjo tregon se vendi ndodhet përballë një prove politike thelbësore: ose arrihet një marrëveshje e re shqiptaro–maqedonase mbi barazinë substanciale, ose kriza e besimit të shqiptarëve ndaj shtetit do të thellohet.

Nuk mund të vazhdojë pafund: trajtimi i shqiptarëve si përqindje statistikore, zgjidhje gjysmake për gjuhën, mungesë e zhvillimit proporcional në zonat shqiptare, ndërkohë që kërkohet lojalitet i plotë institucional e fiskal. Mesazhi është i thjeshtë, por thelbësor: barazia nuk është dekor politik – është arkitekturë shtetërore. Pa demokraci konsensuale, Maqedonia e Veriut mbetet multietnike në letër, por majoritare në praktikë.

Dhe pikërisht këtë realitet e kishte lexuar Arbër Xhaferi shumë kohë më parë.

Shqiptarët “ngecën” aty ku i la Arbër Xhaferi sepse problemi që ai identifikoi nuk u zgjidh kurrë, vetëm u menaxhua përkohësisht.

Kjo për faktin se elita politike shqiptare u bë menaxhuese pushteti, jo ndërtuese e një modeli shtetformues. Pas tij, shumica e elitës: u fokusua në poste, jo në arkitekturë kushtetuese, negocioi vende pune, jo parime shtetformuese, e përdori barazinë si slogan zgjedhor, jo si projekt juridik. Pra, kauza u bë instrumentale, jo doktrinare.