Dhunë dhe tensione janë raportuar përgjatë një proteste të mbajtur në Beograd në mbrëmjen e 2 nëntorit në mbështetje të Dijana Hërkas, nënës së njërës prej 16 viktimave të vrara si pasojë e shembjes së një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit një vit më parë.
Ajo ka nisur grevë urie, duke kërkuar përgjegjësi nga ata që, siç thotë ajo, i kanë vrarë fëmijën.
Në protestë janë hedhur mjete piroteknike në drejtim të protestuesve nga ana e mbështetësve qeveritarë që kanë qenë të mbledhur në një zonë tjetër.
Më vonë kanë shpërthyer përleshje mes dy grupeve, mirëpo policia ka ndërhyrë shpejt dhe i ka ndalur ato.
Përgjatë protestës, Dijana Hërka i është drejtuar policisë me megafon, duke thënë se ky institucion do të fajësohet për incidentet.
Pas një kohe siguria është përforcuar me forcat e xhandarmërisë.
Studentët që protestojnë tashmë një vit, i kanë bërë thirrje secilit që të mos përfshihet në përleshje.
“Dijana Hërka nuk duhet të lihet vetëm”, kanë thënë studentët përmes një postimi në X – dikur Twitter – duke shtuar se gjëja më e rëndësishme është siguria e saj, por që nëse Hërka vendos të vazhdojë grevën dhe të protestojë, atëherë i duhet të ketë mbështetje adekuate.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka akuzuar qytetarët që e kanë mbështetur Dijana Hërkan për “tentime brutale që të sulmojnë simbolin e lirisë – Parkun e Pionierëve”, ka raportuar agjencia e lajmeve Beta.
Vuçiq ka thënë se ata që i organizojnë grevat janë në kontakt me shumë zyrtarë të Ambasadës amerikane.
“Kjo është diçka e pritshme dhe nuk na befason, sepse i kemi monitoruar këto kontakte të atyre që kanë dashur të shkaktojnë kaos me struktura të huaja”, ka thënë ai.
Ministria e Brendshme Serbisë dhe Agjencia për Siguri dhe Informacion (BIA) e kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke i dënuar incidentet në Beograd.
Dijana Hërka e ka nisur grevën në ngjarjen përkujtimore në Novi Sad më 1 nëntor, ku dhjetëra mijëra njerëz i kanë përkujtuar ata që janë vrarë një vit më parë.
Edhe një vit pas tragjedisë, askush nuk është shpallur fajtor.
Tragjedia në Novi Sad i ka nxitur protestat më të mëdha në dekada kundër pushtetit në Serbi.
Protestuesit kërkojnë zgjedhje të parakohshme, diçka që regjimi i Vuçiqit i hedh poshtë vazhdimisht./REL





