Dhuna në media po na normalizohet dalëngadalë…

Shkruan: Fitim NUHIU

Mbrëmjen e së enjtes që kaloi, në emisionin “Opinion” në Tv Klan teksa po diskutohej në emisionin “Opinion” për dënimin nga gjykata speciale në Hagë për ish krerët e UÇK-së, ka ndodhur një sherr mes dy të ftuarve, që arriti pothuajse në përplasje fizike.

Bëhet fjalë për gazetarin Berat Buzhala dhe shkrimtarin Albatros Rexhaj, të cilët ndanin mendime të ndryshme në lidhje me qëndrimet që ka kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në lidhje me ngritjen e Gjykatës Speciale si dhe për mundësinë nëse kjo gjykatë mund të shfuqizohet nga shteti i Kosovës.

Buzhala në një moment i është afruar Rexhajt dhe ka tentuar ta godasë në studion e emisionit. Është dashur ndërhyrja e drejtuesit të emisionit Blendi Fevziu për të qetësuar situatën. Më pas, pasi përfundoi emisioni, u shfaqën të dytë duke u përqafuar se kinse janë pajtuar me ndërhyrjen e Fevziut.

Kjo është ajo që iu servir publikut shqiptar nga një shtëpi mediatike mbarëkombëtare me shikueshmëri të lartë.

Emisioni Opinion prodhim i Tv Klan gjatë historikut të vet ka qenë një dritare ku janë ndeshur të vërtetat e shumë debateve politike, kulturore, sociale nga më të ndryshmet dhe akoma edhe sot gëzon një shikueshmëri të lartë, mirëpo kohët e fundit sikur iu kanë zbehur ngjyrat me përzgjedhjen joadekuate të panelistëve, kinse po i jepet e drejta gjithsecilit, e drejta për të folur e për të shprehur bindjet e veta. Dikur ftoheshin njerëz që vërtetë kishin vlera, fjala vie, akademikë, historianë, gazetarë e profesionistë të fushave të ndryshme dhe merrej një temë trajtohej nga kënde e perspektiva të ndryshme. Sot, drejtuesit të këtij emisioni, z. Blend Fevziut sikur i ka humb sensi që të bëj diçka cilësore. Ai tashmë, më tepër është i interesuar të bëj diçka “më interesante” e të kap audiencë edhe më të madhe e ca klikime më shumë. Kjo qasje realisht dëshmon se ka rënë niveli i këtij emisioni, duke pasur parasysh historikun se çfarë ishte dikur e pse përfundoi në një strehë rrugaçësh që s’dinë se çfarë nënkupton një debat i mirëfilltë intelektual, një debat ku mund të shprehësh mendimin tënd me elegancë e pa frikë, e t’i shpërfaqësh argumentet e tua që të elaborosh një temë të caktuar debative.

Niveli kaq i dobët dhe i ulët që po ekspozohet sot në këtë shtëpi mediatike dhe jo vetëm, vërtetë është zhgënjyese për publikun, që bëjnë lojëra të niveleve të tilla, për interesa po aq të ulëta, duke ftuar mysafirë që s’kanë etikën minimale debative, duke i njohur shumë mirë, madje pa turp moderatori në fjalë thekson se jemi miq tash e sa dekada.

Nivele të tilla hasim edhe në televizionet e Kosovës, kur panelistë të shumtë që edhe pse njihen publikisht që në vazhdimësi përdorin gjuhë rrugaçërie madje edhe dhunë e sulme fizike, ata prapëseprapë ftohen vazhdimisht në emisione për të na “ndritur” neve publikun.

Secili panelist është i lirë të shpreh lirshëm mendimin dhe opinionin e vet mirëpo duhet të ketë përgjegjësi për fjalën e thënë, sepse supozohet të vlerësohet dhe peshohet për atë që e thotë.

Shtrohet pyetja, ku është kontrolli institucional i mediave (vizive), ku janë këto organizma shtetërorë dhe vetërregullues, të cilët kanë rol mbikëqyrës, rregullator dhe etik – jo censurues, që nuk i dëgjohet asnjë reagim dhe ndërhyrje. Pse nuk kemi asnjë përndjekje penale ligjore për dhunuesit që na imponohen në ekranet tona.

Ku është Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri (AMA), ku janë Gjykatat (që supozohet të ndërhyjnë kur ka shpifje, cenim privatësie apo shkelje ligjore), ku është Komisioni i Pavarur për Media në Kosovë (KPM) që supozohet të rregullon dhe monitoron mediat audiovizive.

Normalizimi i dhunës në media

Një tjetër problem shqetësues është normalizimi i dhunës në media. Sot, media edukon masat, deshëm ne ose jo. Pamje konfliktesh, gjuhë agresive në debate televizive dhe komente denigruese janë bërë pjesë e përditshme e diskursit mediatik. Kur dhuna paraqitet vazhdimisht pa analizë kritike dhe pa kontekst edukues, ajo humb karakterin e alarmit shoqëror dhe shndërrohet në diçka “normale”.

Akoma më e rëndë është qasja e mediave simotra që pas përleshjeve mediatike, i ftojnë protagonistët, duke i pyetur se si erdhi çështja deri aty, e çka i the ti e çka të tha ai, etj… çmendurira që të çudisin edhe imagjinatën më të errët njerëzore. Dhuna shet, është interesante, ngjall kuriozitet. Të gjithë tashmë po e dimë këtë.

Zgjidhja nuk është censura, por përgjegjësia e fjalës së thënë. Redaksitë duhet të forcojnë standardet etike, të ftuarit në panelet debative duhet të keni kulturën e komunikimit, të ftuarit duhet të flasin me kujdes dhe ndjeshmëri, të jenë të hapur dhe komunikues. Të kenë edhe veshin për të dëgjuar kundërshtarin ose atë që ka mendim ndryshe, ndërsa publiku duhet të zhvillojë kulturë kritike ndaj asaj që shikon.

Dhuna që na imponohet në media është një plagë e heshtur, por jo e pashërueshme. Ajo mund të zbutet vetëm atëherë kur media vendos njerëzoren dhe të vërtetën mbi sensacionin.