Ligjvënësit e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara janë mbledhur më 18 dhjetor për të diskutuar dhe më pas votuar për dy artikujt për shkarkim kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Dhoma e kontrolluar nga demokratët pritet të miratojë dy akuzat në kuadër të hetimeve për shkarkim të Trumpit: abuzim me pushtetin dhe pengim të punës së Kongresit.
Akuzat janë të lidhura me marrëveshjet e Trumpit me Ukrainën.
Ky proces më pas pritet të kalojë në Senat për gjykim dhe largim të presidentit nga zyra, veprim që ka pak mundësi të ndodhë, pasi Senati kontrollohet nga republikanët.
Dy presidentë tjerë amerikanë, që janë përballur me hetimet për shkarkim, Andrew Johnson dhe Bill Clinton, nuk janë larguar nga zyra përmes këtij procesi.
Trump akuzohet se i ka bërë presion presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy për të hetuar rivalin e tij politik, Joe Biden, duke bllokuar ndihmën ushtarake për këtë shtet.
Pak para nisjes së debatit, Trump ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Twitter se “nuk ka bërë asgjë të keqe”./rel