Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po has vështirësi në tërheqjen e aleatëve perëndimorë për “Bordin e Paqes”, por deri tani ka siguruar mbështetjen e monarkëve të Lindjes së Mesme, njeriut të njohur si diktatori i fundit i Evropës dhe të paktën një lideri të kërkuar për krime të dyshuara lufte.
Trumpi ka ftuar dhjetëra vende të bashkohen me bordin që synon të zgjidhë konfliktet globale, por mandati i tij ka alarmuar disa aleatë të SHBA-së, ashtu si edhe komenti i liderit amerikan se ai “mund” të zëvendësojë Kombet e Bashkuara.
Bordi, i kryesuar pa afat nga Trumpi, fillimisht u konceptua si një organ i kufizuar me detyrë mbikëqyrjen e rindërtimit të Gazës, e cila u shkatërrua nga lufta dyvjeçare e Izraelit. Por qëllimi i tij është zgjeruar më pas për t’u marrë me konflikte në mbarë botën, dhe drafti i statutit, i dërguar së bashku me ftesat për anëtarësim, as që e përmend Gazën.
Kundërshtarët e SHBA-së, Rusia dhe Kina, si dhe shteti represiv prej kohësh Bjellorusia, janë mes vendeve të ftuara të bashkohen me bordin, duke u ofruar vende të përhershme me një çmim prej 1 miliard dollarësh. Aleatë evropianë, shtete të pasura me naftë të Gjirit, ish-republika sovjetike dhe madje edhe Papa kanë marrë gjithashtu oferta për t’u bashkuar.
Rreth 35 nga 50 vendet e ftuara pritet të marrin pjesë në një ceremoni nënshkrimi të enjten, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës, sipas një zyrtari të lartë të administratës.
Çka është Bordi i Paqes?
Trumpi fillimisht e hodhi idenë e Bordit të Paqes si pjesë të fazës së dytë të planit 20-pikësh të armëpushimit në Gaza, të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, në shtator.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së e mbështeti planin në nëntor – duke i dhënë legjitimitet ndërkombëtar – me një mandat që bordi të mbikëqyrë çmilitarizimin dhe rindërtimin e Gazës.
Por Trump kishte plane afatgjata. Drafti i statutit, i siguruar nga CNN, e përshkruan Bordin e Paqes si një “organizatë ndërkombëtare” që promovon stabilitetin, paqen dhe qeverisjen “në zona të prekura ose të kërcënuara nga konflikti”.
Trump do të shërbejë si kryetar pa afat i bordit, duke mundur ta mbajë postin edhe përtej mandatit të tij të dytë si president, sipas statutit.
“Bordi i Paqes” do të qëndrojë mbi një “Bord Ekzekutiv themelues” që përfshin dhëndrin e Trump, Jared Kushner, Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të dërguarin special Steve Ëitkoff dhe ish-kryeministrin britanik Tony Blair.
Kush e ka pranuar?
Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahreini, Pakistani, Turqia, Hungaria, Maroku, Kosova, Argjentina dhe Paraguai e kanë pranuar ftesën e Trumpit. Po ashtu edhe shtetet e Azisë Qendrore Kazakistani dhe Uzbekistani, si dhe vendet e Azisë Juglindore Indonezia dhe Vietnami.
Edhe Benjamin Netanyahu i Izraelit është pjesë e bordit, megjithëse ai ka shprehur zemërim për përfshirjen e zyrtarëve turq dhe nga Katari në bordin ekzekutiv për Gazën dhe përballet me një urdhër-arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Armenia dhe Azerbajxhani, të cilat nënshkruan vitin e kaluar një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA-ja që i jep SHBA-së qasje ekskluzive për zhvillimin e një korridori kritik tranziti në rajon, kanë rënë gjithashtu dakord.
Lideri bjellorus, Alexander Lukashenko, shpesh i përshkruar si diktatori i fundit i Evropës dhe një aleat kyç i liderit rus Vladimir Putin, është regjistruar gjithashtu.
“Kam disa njerëz kontroversë në të”, i ka thënë Trumpi CNN-it, duke iu referuar pretendimit të tij se Putini ka rënë dakord të bashkohet. Lideri rus ende nuk e ka konfirmuar vendimin e tij, megjithëse ka përmendur përdorimin e aseteve ruse të ngrira në SHBA për të paguar tarifën prej 1 miliard dollarësh për një vend të përhershëm. Përfshirja e mundshme e Putinit ka ngritur shqetësime se si një vend që po zhvillon në mënyrë aktive një luftë mund të përfshihet në një përpjekje për të siguruar paqen.
Mark Carney i Kanadasë, i cili ka kritikuar vazhdimisht Trumpin për shkatërrimin e rendit global “të bazuar në rregulla” dhe vendosjen e tarifave ndëshkuese, synon të bashkohet me kushte, duke thënë se detajet, përfshirë ato financiare, ende nuk janë përcaktuar.
Kush e ka refuzuar?
Disa vende nuk janë angazhuar ende, ndërsa të tjera i kanë refuzuar ftesat.
Franca dhe Norvegjia kanë refuzuar pjesërisht për shkak të pikëpyetjeve mbi mënyrën se si Bordi i Paqes do të funksiononte në bashkëpunim me OKB-në.
Kina konfirmoi se ishte ftuar, por nuk ka thënë nëse do të bashkohet. Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme ka thënë të mërkurën se Kina “do të mbetet e përkushtuar fuqimisht në mbrojtjen e sistemit ndërkombëtar me OKB-në në qendër”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se është e vështirë të shihet të qenit “së bashku me Rusinë në ndonjë këshill”, duke shtuar se “problemi është se Rusia është armiku ynë dhe Bjellorusia është aleati i saj”.
Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka thënë se mund të ketë çështje kushtetuese me anëtarësimin dhe se nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit. Ndërsa ministrja e Jashtme irlandeze, Helen McEntee, ka thënë se do ta shqyrtojë ftesën “me kujdes”.
Cilat janë shqetësimet?
Bordi i Paqes i Trumpit ka qenë i zhytur në polemika.
Diplomatë, zyrtarë dhe liderë botërorë kanë shprehur shqetësime serioze lidhur me mandatin e zgjeruar të bordit, kryesimin pa afat nga Trumpi dhe dëmin e mundshëm që mund t’i shkaktohet punës së OKB-së.
Shtetet anëtare do të shërbejnë për mandate trevjeçare, pas të cilave duhet të paguajnë 1 miliard dollarë për një vend të përhershëm. Fondet e mbledhura do të shkojnë për rindërtimin e Gazës, sipas një zyrtari amerikan, por kjo lëvizje është kritikuar si e ndjeshme ndaj korrupsionit.
Komentet e Trumpit se bordi “mund” të zëvendësojë OKB-në kanë shtuar shqetësimet se ai mund të shndërrohet në një mjet për të zëvendësuar institucionin e krijuar 80 vjet më parë për të ruajtur paqen globale. Statuti i bordit përmend “institucione që shumë shpesh kanë dështuar”, pa e përmendur me emër OKB-në, një organizatë që Trumpi e ka kritikuar vazhdimisht.
Zyrtari më i lartë humanitar i OKB-së dhe Koordinatori i Ndihmës Emergjente, Tom Fletcher, i ka thënë CNN-it se Bordi i Paqes i Trumpit nuk do ta zëvendësojë organizatën e tij.
Sekretarja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i bashkohet “Bordit të Paqes” të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump, për shkak të shqetësimeve lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të liderit rus, Vladimir Putin.
Cooper i ka thënë BBC-së se Mbretëria e Bashkuar ishte ftuar të bëhej pjesë e bordit, por se “nuk do të jetë një nga nënshkruesit sot” në ceremoninë e planifikuar në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të enjten.
Sekretarja e Jashtme e ka përshkruar bordin si një “traktat ligjor që ngre çështje shumë më të gjera” sesa fokusi fillestar i nismës për t’i dhënë fund luftës Izrael – Hamas në Gazë.
Statuti i propozuar nga Shtëpia e Bardhë nuk e përmend territorin palestinez dhe duket se është projektuar për të zëvendësuar disa funksione të Kombeve të Bashkuara.
Vende si Arabia Saudite, Turqia, Egjipti dhe Izraeli kanë deklaruar se do të bëhen anëtare të bordit, ndërsa në Davos, presidenti Trump ka thën se Putini e kishte pranuar ftesën për t’iu bashkuar nismës.
Megjithatë, presidenti Putin nuk e ka konfirmuar këtë dhe më herët ka deklaruar se vendi i tij është ende duke e shqyrtuar ftesën.



