Dhjetëra gjoba në rajonin e Tetovës për ngasje të makinës në gjendje të dehur

Gjatë tetorit të këtij viti në rajonin më të gjerë të Tetovës janë zbuluar dhe sanksionuar gjithsej 62 vozitës, shumica prej tyre kanë drejtuar makinën nën efektin e alkoolit, të gjithë janë përjashtuar menjëherë nga komunikacioni, ndërsa 51 prej tyre përkohësisht u është marr patenta e shoferit. Përveç këtyre, për ta janë përgatitur edhe parashtresa përkatëse, në mënyrë që të gjobiten, ku për këtë lloj kundërvajtjeje në komunikacion gjobat janë nga 225 deri në 325 euro në kundërvlerë në denarë, varësisht nga shkalla e “alkoolit” të konstatuar. Gjobë më e lartë i pret ata të cilët kishin më shumë se 2 promilë alkool në gjak dhe akoma më të lartë, ndërsa 500 euro për ata që refuzuan të testoheshin për alkool.

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë sërish apelojnë shoferët e sidomos të rinjtë që të mos ulen në timon nëse paraprakisht kanë konsumuar alkool, apo të shmangin alkoolin nëse janë duke vozitur.