Dhjetë persona të vrarë si pasojë e sulmit në një universitet në Pragë

Dhjetë persona janë vrarë dhe nëntë janë plagosur rëndë, si pasojë e sulmit me armë zjarri në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Karlit, në Pragë të Republikës Çeke, kanë thënë shërbimet e emergjencës.

I vdekur është edhe sulmuesi. Policia çeke ka thënë ai është eliminuar, por u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë nëpër shtëpi.

“Janë 11 persona të vdekur, përfshirë sulmuesin, nëntë të plagosur rëndë, 4-5 të plagosur lehtë. Numrat mund të ndryshojnë”, ka thënë emergjenca përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

Ministri i Brendshëm çek Vit Rakushan, ka thënë për mediat çeke se ka të vdekur, por nuk mund të spekulojë për shifrën përfundimtare.

Disa studentë kanë treguar në platformën X – të njohur më parë si Twitter, se kanë mbyllur dyert me mjete të ndryshme për të parandaluar sulmuesin.

Zyrtarë të armatosur policorë shihen në ballkonin e universitetit.
Zyrtarë të armatosur policorë shihen në ballkonin e universitetit.

Një email që i është dërguar stafit të universitetit, që e ka parë agjencia e lajmeve Reuters, ka paralajmëruar personelin për të shtënat.

“Qëndroni në vend, mos shkoni askund nëse jeni nëpër zyra, mbyllni dyert me orendi dhe ndalni dritat”.

Policia u ka kërkuar banorëve të Pragës që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre.

Autoritetet e kanë mbyllur gjithë sheshin Jan Palah, ku është ndërtesa e fakultetit, dhe zonën përreth.

Presidenti çek, Petr Pavel, ka thënë se është i shokuar nga ngjarja dhe ka shprehur ngushëllime të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave.

Kryeministri çek, Petr Fiala, ka thënë se do t’i anulojë të gjitha planet, pas “ngjarjes tragjike”.

Ambasada e Kosovës në Çeki, u ka kërkuar të gjithë shtetasve të Kosovës që jetojnë në Pragë, që t’i ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.

Ambasada ka thënë se të gjithë qytetarët mund të kërkojnë ndihmë konsullore në +420 257 217 775.

Universiteti i Karlit është në qendër të Pragës, rreth 500 metra prej Urës historike të Karlit – atraksioni kryesor për turistët.

Krimet me armë janë të rralla në Republikën Çeke.

Në dhjetor të vitit 2019, një 42-vjeçar ka vrarë gjashtë persona në një qendër pritjeje në spital, në qytetin lindor Ostravë, para se të kryente vetëvrasje./REL