Dhimbje fizike e emocionale, por edhe krenari – Rrëfimet e gazetarëve të sulmuar në veri

Teksa vraponte nëpër rrugët e Leposaviqit – e rrezikuar nga gurët, shok-bombat dhe shtyrjet fizike nga disa persona të grumbulluar për protestat në veri të Kosovës – gazetarja Venera Xhoxhaj e kishte të vështirë të mendonte qartazi.

E premtja e 16 qershorit kishte nisur çuditshëm për të. Që në mëngjes, Xhoxhaj dhe pjesëtarët e tjerë të ekipit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) e kishin nuhatur një rrezik.

“Gjatë gjithë kohës kemi pasur dilema se deri ku mund të shkojmë. Por, puna e gazetarit është mision dhe të nxitë ta përmbushësh, sepse nuk mund të raportosh nga Mitrovica e Jugut për Leposaviqin”, thotë Xhoxhaj për Radion Evropa e Lirë.

Vetëm një natë më parë, vetura e kolegëve të saj në RTK ishte sulmuar në Zveçan. Në këtë komunë, si edhe në Leposaviq e Zubin Potok, serbë lokalë kanë protestuar që nga 26 maji shkaku i hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

Por, vizita e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi, bëri që Xhoxhaj dhe shumë gazetarë të tjerë të udhëtonin mbi 70 kilometra në veri të Prishtinës.

Atje, më 19 qershor, nëntë gazetarë u sulmuan nga disa persona. Deri më 19 qershor, tre persona me kombësi serbe janë arrestuar për këto sulme.

E teksa vraponte nëpër rrugët e Leposaviqit, Xhoxhaj vetëm mendonte për kolegun e saj, kameramanin Bardh Bekteshi.

“Në momentin që e kam parë që nuk është Bardhi afër meje, kam filluar të bërtas dhe të pyes se ku është. Kur e kam parë që është në turmë, jam kthyer drejt tij pa e menduar rrezikun që po më kanosej tashmë edhe mua”, kujton Xhoxhaj.

Ajo kishte arritur ta xhirojë me telefon një pjesë të sulmit, ku shihet teksa një person e pengon Bekteshin që tenton të ikë, duke e rrëzuar. Videoja është shpërndarë nëpër rrjete sociale edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Por, sipas Venerës, ato pamje “nuk e tregojnë as dhjetë për qind të traumës dhe tmerrit që kemi përjetuar në ato momente”.

Xhoxhaj ishte rrëzuar gjatë këtij sulmi, por ajo vazhdimisht kthen fokusin te lëndimet që pësoi kolegu i saj, Bekteshi, për të cilin ndjen përgjegjësi.

Gazetarja Venera Xhoxhaj.
Gazetarja Venera Xhoxhaj.

Përderisa lëndimet fizike i shkaktojnë dhimbje, ajo thekson se gjendjen e ka më të rënduar shkaku i gjendjes emocionale.

“Çështja e gjendjes emocionale, përgjegjësisë për ekipin, po vazhdon të më rëndojë bukur shumë. Fillimisht ishim përkujdesur që të tregojmë te të gjitha mediat që jemi mirë që të mos i shqetësojmë familjarët, por tani po vazhdoj të jem në një gjendje jostabile”, thotë Xhoxhaj, me zërin që i dridhej.

Xhoxhaj ka 22 vjet përvojë në punën e saj si gazetare. Përderisa ka qenë cak i sulmeve verbale disa here në karrierën e saj, ajo nuk ishte përballur asnjëherë me një sulm si ky.

Kolegia e saj, gazetarja Qëndresa Sinani e Klan Kosovës, ishte pranë Venerës në momentet e këtij sulmi. Qëndresa u godit me gurë dhe mbeti me gjurin e djathtë të lënduar.

Gazetarja Qëndresa Sinani.
Gazetarja Qëndresa Sinani.

“Dita e premte ka qenë njëra nga ditët më të vështira që kur kam filluar punën si gazetare tash e më shumë se katër vjet”, thotë Sinani për Radion Evropa e Lirë.

Ajo thekson se “tani jam më mirë fizikisht, por emocionalisht ndoshta edhe jo”.

Megjithëse e frikësuar nga ndjenja se ishte e pafuqishme për ta mbrojtur veten dhe gazetarët e tjerë, Sinani thotë se ajo do të vazhdojë të raportojë edhe nga veriu i Kosovës, pavarësisht se 30 sulme janë raportuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës që nga tensionimi i situatës atje.

“E kam ditur gjithmonë që gazetaria të përballë me gjithkënd dhe të dërgon gjithkund, por asnjëherë nuk e kam menduar se unë do të jem në rrezik për jetën”, tregon Sinani.

Për Pleurat Salihun, gazetarin e portalit arbresh.info, sulmi që e la me thyerje në krahun dhe shpatullën e majtë i ka sjellë edhe të mira: motiv shtesë për ta realizuar misionin e gazetarit dhe krenarinë që ndien kur sheh mirënjohjen nga publiku.

“Le ta dijë gjithkush se kjo plagë do të mbetet kujtim, se fjala e lirë do të ekzistojë gjithmonë. Ky vend nuk e duron ngufatjen e fjalës së lirë”, thotë Salihu.

Gazetari Pleurat Salihu.
Gazetari Pleurat Salihu.

Ai tregon se dhimbjet nga lëndimet e pësuara nuk i kishte ndier për një kohë të gjatë pas sulmit, por sytë e tij mbushen me lot teksa flet për atë që ka përjetuar që nga atëherë.

“Frikësohem të flas sepse gjysma e intervistës do të shkojë me lot, shkaku i dashurisë që më është ofruar. Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të më thotë një 13-vjeçar ‘ti je hero’. Nuk ka ndjenjë më të mirë sesa të vijnë njerëz të të falënderojnë para derës, të të ndalin të moshuar në rrugë për fotografi”, thotë Salihu për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se frikën më të madhe e ka ndier për koleget gazetare në momentet e sulmit dhe thotë se kur e kishte parë një gazetare të re të rrëzuar ishte ndier “i ligështuar, e kam menduar veten tepër të pafuqishëm”.

Salihu thekson disa herë se serbë lokalë kishin shprehur keqardhje për sulmin, për të cilin ai shprehet i bindur se ishte kryer nga “grupe të organizuara kriminale”.

Edhe Policia e Kosovës ka fajësuar “individë apo grupe kriminale” për sulmet ndaj pjesëtarëve të mediave, ndërsa Zyra për Kosovën në Qeverinë serbe ka reaguar ndaj arrestimeve të të dyshuarve duke akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, se po përdor “të gjitha mjetet për të provokuar konflikt me popullin paqësor serb”.

Në telashe në veri të Kosovës kanë hasur edhe gazetarë serbë.

Si “plotësisht shkatërruese” e përshkruan Zorica Vorguçiq, gazetare e RTV KIM nga Çagllavica, ndjesinë që kishte pasur më 16 qershor. Asaj dhe disa gazetarëve të tjerë i ishte ndaluar rreptas incizimi apo fotografimi në Mitrovicën e Veriut.

“Shkon në terren për të raportuar se çfarë po ndodh atje dhe më pas shfaqen disa persona të maskuar që nuk ju lejojnë ta bëni këtë. Ju nuk e keni idenë se kush janë ata, por frikësoheni se kush mund të jenë”, thotë Vorguçiq.

Zorica Vorguçiq, gazetare e RTV KIM nga Çagllavica (majtas, me bluzë të kuqe).
Zorica Vorguçiq, gazetare e RTV KIM nga Çagllavica (majtas, me bluzë të kuqe).

Ajo shton se gazetarët asnjëherë nuk e dinë se çfarë i pret në terren dhe për këtë arsye kanë gjithmonë njëfarë frike sa herë që shkojnë në veri.

“Arma” e saj për ta luftuar stresin dhe frikën është nevoja për të qenë gjithmonë në terren në situata krize.

Vorguçiq kujton se më 16 qershor kolegët e saj e “paralajmëruan” se nuk do të mund të incizonte apo fotografonte asgjë edhe para se të arrinte në vendin në Mitrovicën e Veriut ku po mblidheshin njerëzit për arrestimin e Millun Milenkoviq- Llune, i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan.

Kur bëhen tubime të tilla, në mesin e tyre ka pothuajse gjithmonë njerëz të maskuar.

Lista Serbe më herët kishte deklaruar se maskat mbahen për ta mbrojtur identitetin e personave, pra që autoritetet e Kosovës të mos i identifikojnë dhe arrestojnë ata.
Vorguçiq e vlerëson këtë shpjegim si “të pakuptimtë”. Ajo thotë se institucionet e sigurisë së Kosovës kanë mënyra të tjera për t’i identifikuar personat e maskuar dhe nuk varen nga materialet e gazetarëve.

Ajo ishte edhe në Zveçan më 29 maj, kur pati një përplasje mes protestuesve dhe ushtarëve të KFOR-it. Ajo thotë se nuk ishte e vetëdijshme për seriozitetin e situatës derisa filluan të fluturonin shok-bomba, gaz lotsjellës, shishe…

Në atë moment ajo kishte frikë për kameramanin e saj se mos i ndodhte diçka.

“Nuk e dija se ku ishte në atë kohë… kaloi shumë kohë para se të komunikonim”, thotë Vorguçiq.

Familja, miqtë dhe kolegët nga redaksia më së shumti i thonë të jetë e kujdesshme kur raporton nga veriu.

“Dhe, unë e mbroj veten me aq sa mundem, por detyra jonë është të jemi aty”, përfundon ajo./REL