Kiro Gligorov, i njohur gjerësisht si “Dhelpra e vjetër e Ballkanit” mbetet një nga figurat më enigmatike dhe strategjike të tranzicionit jugosllav. Dokumente të deklasifikuara së fundmi nga arkivat e inteligjencës amerikane (CIA) konfirmojnë këtë epitet, duke zbardhur lojën e tij të hollë diplomatike në fillimvitet ’90, përcjell INA.
Sipas një dokumenti të CIA të nëntorit 1992 jepen detaje se kah po shkonte Maqedonia si shtet i sapoformuar i asaj kohe, pas shkëputjes nga ish-Jugosllavia federale me udhëheqësin e saj të ri që kishte ardhur nga Beogradi.
Në një kohë kur rajoni po zhytej në gjakderdhje, Gligorov arriti të manovronte mes presioneve të egra greke, rrezikut nga Beogradi dhe tensioneve të brendshme etnike në raport me shqiptarët, duke u portretizuar në raportet e inteligjencës si një “reformator i mençur” me një zotërim të jashtëzakonshëm të detajeve strategjike, përcjell INA.
Gligorovi refuzoi 100 milionë dollarë nga Greqia për të blerë emrin e Maqedonisë
Dokumenti zbulon një prapaskenë tronditëse: pavarësisht nevojës urgjente për ndihmë ekonomike, Gligorov kishte refuzuar një ofertë private nga zyrtarë grekë prej 100 milionë dollarësh, me kushtin që emri i shtetit të ndryshohej. Presidenti i kishte cilësuar kërkesat greke si krejtësisht të paarsyeshme, duke deklaruar se Maqedonia nuk do t’i pranonte kurrë ato. Ai insistonte se republika kishte ofruar prova të mjaftueshme se nuk kishte pretendime territoriale ndaj fqinjëve, duke shprehur njëkohësisht zhgënjim të thellë me Komunitetin Evropian që po mbështeste veton greke, përcjell INA.
Distancimi nga Milosheviçi dhe arkitektët e krizës jugosllave
Në rrafshin rajonal, Gligorov mbante një qëndrim tejet të kujdesshëm ndaj Beogradit. Ndonëse tentonte të mbante komunikim me liderët e ish-Jugosllavisë, ai kishte refuzuar me vendosmëri përpjekjet e presidentit serb Sllobodan Milosheviç për ta bindur që të formonte një asociacion me shtetin e mbetur jugosllav të dominuar nga Serbia. Dokumentet konfirmojnë se Gligorov nuk i besonte Milosheviçit dhe e konsideronte atë, së bashku me presidentin kroat Franjo Tuxhman, si përgjegjësit kryesorë për krizën e përgjakshme jugosllave. Në të kundërt, ai kishte krijuar një aleancë të ngushtë me presidentin e Bosnjës, Alija Izetbegoviç, me të cilin ishte në kontakt të vazhdueshëm për të koordinuar hapat e mbrojtjes së sovranitetit.
Sfida e brendshme dhe ekuilibri mes shqiptarëve dhe VMRO-së
Ruajtja e stabilitetit të brendshëm ishte synimi më i vështirë për Gligorovin, i rrezikuar nga tensionet mes bashkësisë së madhe etnike shqiptare dhe organizatës ultranacionaliste VMRO-DPMNE. Strategjia e tij bazohej në theksimin e të drejtave individuale të qytetarëve në vend të atyre kolektive, një qasje që u mirëprit nga liderët e moderuar shqiptarë, ndonëse këta të fundit e akuzonin qeverinë për mungesë ndjeshmërie. Vlerësohet se autoriteti i Gligorovit ishte faktori kyç që mbante në këmbë koalicionin e brishtë qeveritar ku bënin pjesë edhe partitë shqiptare. Për të frenuar radikalët e VMRO-së, ai punoi paralelisht për forcimin e lidhjeve me Bullgarinë dhe Turqinë, duke kërkuar njëkohësisht mbështetje politike nga fuqitë e mëdha si SHBA, Britania dhe Franca.
Dokumenti jep detaje nga biografia e ish-presidentit Gligorov duke e konsideruar si një politikan dhe teknokrat që kishte shërbyer për dekada në postet më të larta financiare dhe ekzekutive të Jugosllavisë federale.(INA)




