Një raketë e kompanisë Blue Origin ka shpërthyer gjatë testimeve në platformën e lëshimit në Cape Canaveral të Floridas, duke shkaktuar alarm dhe reagime të menjëhershme nga autoritetet amerikane dhe kompania hapësinore e themeluar nga Jeff Bezos.
Incidenti ndodhi rreth orës 21:00 sipas kohës lokale gjatë një “hotfire test”, një procedurë standarde ku motorët e raketës aktivizohen në platformë para lëshimit zyrtar, transmeton Klankosova.tv.
Pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes tregojnë momentin dramatik kur raketa shpërthen dhe shndërrohet në një top gjigant zjarri që përfshin zonën përreth platformës së lëshimit.
Blue Origin konfirmoi incidentin përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke bërë të ditur se gjatë testimit kishte ndodhur një “anomali”.
Kompania theksoi se të gjithë punonjësit janë identifikuar dhe ndodhen të sigurt.
Edhe themeluesi i kompanisë, Jeff Bezos, reagoi pas shpërthimit duke deklaruar se prioritet mbetet siguria e stafit dhe hetimi i plotë i rastit.
“Është ende herët për të ditur shkakun kryesor, por tashmë po punojmë për ta përcaktuar atë”, deklaroi Bezos.
Ndërkohë, shërbimi i emergjencave i qarkut Brevard bëri të ditur se nuk ka rrezik për publikun, ndërsa ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në terren.
Forcat Hapësinore të SHBA-së konfirmuan se po bashkëpunojnë me Blue Origin për të analizuar të dhënat teknike dhe për të zbuluar shkakun e saktë të incidentit.
Sipas tyre, shpërthimi ndodhi gjatë testeve përgatitore për një lëshim të ardhshëm.
Ky nuk është incidenti i parë për Blue Origin në muajt e fundit, kompania ishte nën hetim edhe pas problemeve të hasura gjatë lëshimit të një sateliti të kompanisë AST SpaceMobile me raketën New Glenn, kur ngarkesa nuk arriti orbitën e planifikuar.
Megjithatë, Blue Origin kishte arritur më herët edhe suksese të rëndësishme me raketën New Glenn, përfshirë lëshimin nga Florida dhe uljen e suksesshme të përforcuesit të ripërdorshëm.



