Dështoi tenderi për deponinë rajonale në Sveti Nikole, nuk ka detaje për arsyet

Procedura e tenderit për zgjedhjen e një kompanie që duhet ta ndërtojë deponinë e parë rajonale për Rajonin Lindor dhe atë Verilindor të vendit në fshatin Meçkuevci në Sveti Nikole nuk përfundoi me sukses. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor informuan vetëm shkurtimisht se arsyeja e dështimit të tenderit ishte interesi i pamjaftueshëm, domethënë sepse aplikoi një numër i vogël kompanish që nuk i plotësonin kriteret për përzgjedhje. Sipas Ministrisë, pas dështimit të tenderit dokumentacioni i tenderit u rishikua, ndërsa për momentin pritet miratim nga Delegacioni i Bashkimit Evropian që të mund të përsëritet procedura, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Dorëzimi i ofertave për tenderin përfundoi në maj të këtij viti, pasi një herë afati u prolongua për t’u dhënë kompanive kohë shtesë për ta plotësuar dokumentacionin. Pastaj vijoi periudha 90 ditore e vlerësimit, gjatë së cilës u vendos që asnjë nga kompanitë nuk i plotësonte kushtet.

Nga Ministria nuk zbulojnë se sa kompani kanë aplikuar, as kush ishin ato, nëse në mesin e tyre kishte ndonjë kompani vendase, ndërsa konfidenciale janë edhe të dhënat për kushtet që ato arritën t’i përmbushnin. Nuk ka detaje as se çfarë revidimi i është bërë dokumentacionit të tenderit dhe cilat janë kushtet e reja që do të kërkohen nga kompania që në të ardhmen do të duhet ta ndërtojë deponinë e parë evropiane në vend. Për momentin nga Ministria janë optimistë se procedura për shpalljen e tenderit të ri do të përfundojë së shpejti dhe se ndërtimi i deponisë mund të fillojë vitin e ardhshëm, edhe pse miratimi i tenderit të pasuksesshëm zgjati më shumë se një vit.

“Nëse procedura e re e tenderit është e suksesshme, atëherë ndërtimi do të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2026, ndërsa ndërtimi duhet të përfundojë brenda 18 muajsh nga të cilët 12 muaj janë periudha e garancisë. Ndërtimi i impiantit qendror dhe stacioneve të mbingarkimit do të realizohet në një fazë”, thanë nga Ministria.

Sipas raportit të Entit Shtetëror të Statistikës të publikuar në qershor të këtij viti projekti i Sveti Nikoles do t’i kushtojë shtetit 40 përqind më shumë për shkak të zgjatjes së afateve dhe vonesës të fazës së tretë, për të cilën u shpall ky tender. Sipas EShR-së në fazën e tretë të projektit, e cila përfshin ndërtimin e deponisë rajonale dhe stacioneve të mbingarkimit, shteti do të duhet të marrë pjesë me 65 përqind të fondeve, ndërsa fondet evropiane me 35 përqind, në vend të 85 përqind të planifikuarat fillimisht nga BE-ja dhe 15 përqind nga buxheti. Kostoja e përgjithshme e qendrës së trajtimit të mbeturinave është 48,4 milionë euro, por në këto fonde janë përfshirë edhe dy fazat e para të projektit, gjegjësisht prokurimi i infrastrukturës dhe mbyllja e deponive të paligjshme.

Nga Ministria nuk komentojnë nëse ekziston ende rreziku i humbjes së grantit për shkak të vonesës, por ka të ngjarë që me dështimin e procedurës dhe me prolongimin e ri të ketë pasiguri dhe kushte të reja financimi.

“Pjesëmarrja procentuale e fondeve të BE-së, si dhe kontributi kombëtar do të varen nga disa faktorë në mesin e të cilëve lëvizja e çmimeve të tregut, koha kur do të realizohet, si dhe disponueshmëria e fondeve të BE-së, jo vetëm për këtë, por edhe për projekte të tjera të planifikuara të financuara nga BE-ja”, thonë nga Ministria.

Deponia në Sveti Nikole duhet të jetë e para nga pesë deponitë rajonale të planifikuara në të cilat, sipas standardeve evropiane, do të duhet të trajtohen mbeturinat në vend. Përveç asaj në Sveti Nikole të tilla janë edhe deponia Rusino për Rajonin e Pollogut, deponia Meglenci në Komunën e Novacit për Rajonin e Pellagonisë dhe Jugperëndimor, deponia Dobroshinci për Rajonin e Vardarit dhe atë Juglindor dhe Drislla e Shkupit.

Sipas projektit në Meçkuevci në Sveti Nikole do të ndërtohet një impiant qendror për menaxhimin e mbeturinave, si dhe gjashtë stacione mbingarkimi në Kumanovë, Rankovc, Shtip, Vinicë, Makedonska Kamenicë dhe Berovë. Qendra do të duhet t’u shërbejë rreth 370.000 njerëz nga të cilët gjenerohen rreth 112.094 ton mbeturina çdo vit. Familjet do të kenë nga dy kosha për mbeturina, për mbeturina të riciklueshme dhe për mbeturina të përziera. Mbeturinat organike do të mblidhen veçmas dhe do të çohen në kompostim. Është paraparë edhe që të instalohet një rrjet për nxjerrjen e biogazit nga deponia për përdorim të mëtejshëm energjetik.

Ndërtimi i stacioneve të mbingarkimit dhe i deponisë rajonale do të zhvillohet paralelisht, ndërsa derisa ato të ndërtohen në këto dy rajone do të punohet për mbylljen e më shumë se njëqind deponive ilegale dhe jo-standarde të mbeturinave, të cilat varësisht nga sasia e mbeturinave, do t’i nënshtrohen metodave të ndryshme të sanimit. Nga deponitë me më pak se 3.000 metra kub mbeturina, mbeturinat do të zhvendosen në njërën nga deponitë e tjera ku ka deri në 10.000 metra kub mbeturina dhe është planifikuar të mbyllen dhe të mbulohen pa një sistem për mbledhje të biogazit, ndërsa deponitë më të mëdha do të mbyllen me një sistem për mbledhje të biogazit. Projekti ka një vlerë prej rreth 10 milionë eurosh.

Ndryshe, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në muajin korrik ka nënshkruar marrëveshje për grant me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej 2 milionë euro, me të cilën fillon përgatitja e fazës së dytë të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Maqedoninë e Veriut.