Dështimi i marrëveshjes, deklarohet edhe Isa Mustafa

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa deklaroi se Lëvizja Vetëvendosja tregoi sonte se është gati të zotohet për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për president të Kosovës, vetëm se kërkon më shumë hise në qeveri.

“Ky nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë. Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë”, shkruan Mustafa në Facebook.

Për më tepër, kreu i LDK-së thotë se partia që ai drejton është gati për negociata të reja me VV-në dhe shpreson që në ditët në vazhdim të dyja palët do të ulen dhe të definojnë të gjitha aspektet e marrëveshjes.

“E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë të parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata”, shkruan Mustafa.