Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se do t’ia dhurojnë Kosovës mbi 500.000 vaksina kundër Covid-19. Se ShBA-ja “e ka lëshuar dorën” për Kosovën tregon qartazi një krahasim me shtetet tjera, të cilave gjithashtu u ka dalë në ndihmë Shtëpia e Bardhë.
Përmes një deklarate dërguar Radios Evropa e Lirë, Shtëpia e Bardhë njoftoi se do ta fillojë dërgimin e 503.100 dozave në Kosovë që nga 3 shtatori. Për më tepër, ShBA-ja muajin e kaluar ia dhuroi Kosovës 35 mijë vaksina kundër Covid-19, transmeton Gazeta Express.
Krahasuar me vaksinat që Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë në disa shtete të Afrikës, vërehet se Uashingtoni për Kosovën është treguar dukshëm më dorëlirë.
Sa për krahasim, Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë në Ugandë 657.080 vaksina. Sipas faqes për statistika botërore, Worldometers, Uganda ka mbi 47.5 milionë banorë. Me fjalë të tjera, për Kosovën, ShBA-ja do të dhurojë gati një vaksinë për çdo tre banorë, ndërsa për Ugandën shumëfish më pak për kokë banori.