Deri në vitin 2030 pritet të ketë tren nga Shkupi në Sofje

Lidhja hekurudhore midis Maqedonisë dhe Bullgarisë duhet të përfundojë brenda katër vitesh, njoftoi Ministria Bullgare e Transportit pas një takimi midis Ministrit në Detyrë të Transportit dhe Komunikacionit Korman Ismailov dhe ambasadores maqedonase në Sofje Agneza Rusi Popovska, transmeton Portalb.mk.

Pasi marrëveshja për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar u ratifikua në parlamentet e të dy vendeve, tani pritet të formohet një Komitet i Përbashkët, i cili do të koordinojë përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e ardhshëm të objektit.

Nga ana bullgare, po përshpejtohet puna për modernizimin e linjës hekurudhore Sofje – Pernik – Radomir – Gjueshevë. Nga ajo anë, mungon ndërtimi i një itinerari të ri hekurudhor nga Gjuesheva deri në kufirin maqedonas.

Nga ana maqedonase, është vënë në funksion i pari nga tre seksionet deri në kufirin bullgar, 30 përqind e punës në seksionin e dytë është përfunduar, ndërsa po përgatitet dokumentacioni i projektit për seksionin e tretë, nga Kriva Pallanka deri në kufirin bullgar.

Ndryshe, në dhjetor të vitit të kaluar u njoftua se kompania kombëtare bullgare “Infrastruktura hekurudhore” (NKZHI) ka zgjedhur kompaninë që do të modernizojë linjën hekurudhore Sofje-Pernik-Radomir dhe Gjueshevë deri në kufirin me Maqedoninë. Vlera totale e kontratave për rindërtimin e seksioneve është mbi 260 milionë euro pa TVSH.

Kujtojmë se më 6 nëntor 2025, zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit i vendit, Aleksandar Nikolloski, dhe homologu i tij bullgar Grozdan Karaxhov nënshkruan Marrëveshjen për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionalizimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë, i cili është pjesë e linjës hekurudhore të Korridorit 8.