Deri më tani janë refuzuar 5 kandidatë për kryetar komune, në 20 komuna të RMV-së do të ketë vetëm dy kandidatë

Komisioni Shtetëror Zgjedhor ka njoftuar se deri më tani janë refuzuar pesë kandidatura për kryetar komune në Maqedoninë e Veriut.

“Pas përfundimit të procesit të konfirmimit të listave të kandidatëve, hapi i ardhshëm është shorti për përcaktimin e renditjes së listës unike të kandidatëve, i cili do të mbahet më 25 shtator 2025”, raportoi KSHZ-ja.

Deri më tani në Maqedoninë e Veriut janë pranuar 303 kandidatë dhe 558 lista për këshilltare, ndërsa në Kumanovë, Aerodrom, Karposht dhe Shkup janë gjithsej 8 kandidatë dhe 20 lista kandidatësh që po kontrollohen.

Më së shumti kandidatë ka në Strugë (9), Prilep (9), Manastir (8), Shuto Orizare (8) dhe Shkupi (8).

Në 20 komuna do të ketë vetëm dy kandidatë për kryetar: Vrapçishti, Zhelina, Likova, Kriva Pallanka, Tearca, Mavrova dhe Rostusha, Kratova, Bogovina, Gradsko, Zrnovci, Karbinci, Dellçeva, Vasilea, Novo Sella, Vallandova, Bosillova, Bogdanci, Krivogashtani, Pllasnica dhe Petroveci.

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 19 tetor, rrethi i parë dhe 2 nëntor, rrethi i dytë.

Fushata zgjedhore për raundin e parë fillon më 29 shtator dhe do të zgjasë vazhdimisht deri më 17 tetor, ndërsa fushata për raundin e dytë zgjedhor do të zgjasë deri më 31 tetor.