Dërgesa e parë me 24 000 vaksina të Astrazenekës arrijnë nesër

Nesër në mëngjes përmes aeroportit ndërkombëtar në Shkup pritet të arrijë një dërgesë me 24.000 doza vaksina të AstraZeneka përmes sistemit KOVAX. Vaksinat do ti presin ministri i shëndetësisë Venko Filipçe dhe anëtarë të korit diplomatik të RMV, përfaqësues të Unicefit në RMV dhe zyra regjionale e KB.

Deri tani në vend kanë arritur 8.000 doza nga Kompania Pfizer dhe 3.000 vaksina ruse. Me këto doza janë vaksinuar një pjesë e punonjësve shëndetësor. Shifrat në rritje të infektimeve dhe rasteve që përfundojnë me fatalitet kanë detyruar shumë qytetarë të Maqedonisë së Veriut të kërkojnë alternativa tjera. Këtë fundjavë janë caktuar shumë termine për vaksinim të maqedonasve në Serbinë fqinje.

Lidhja Auto-Moto e Maqedonisë mëngjesin e sotëm njoftoi se në vendkalimin kufitar “Tabanoc” po pritet deri në 40 minuta për të kaluar kufirin për shkak të numrit të lartë të qytetarëve që sot po udhëtojnë drejt Serbisë për t`u vaksinuar kundër Covid-19. Oda e Pavarur e Hotelierëve, përmes një komunikate drejtuar mediave, njoftoi se në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Serbisë, për të gjithë hotelierët e RMV-së, duke llogaritur muzikantë, janë apo nuk janë anëtarë të kësaj ode, ka siguruar vaksina falas në Nish, sot dhe nesër nga ora 08.00 deri ora 20.00. Vaksinimi do të jetë në Qendrën Sportive në Nish.

Kreu i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickoski përmes një shkrimi në Facbook ka reagur për vaksinimin e shtetasve të Maqedonisë së Veriut në Serbi, Ai akuzoi Qeverinë për paaftësi në sigurimin e vaksinave.

“Sot, kolonat e automjeteve për në Serbinë fqinje tregojnë më së miri mjerimin dhe paaftësinë e qeverisë dhe të Zoran Zaevit. Kjo gjithashtu tregon se sa njerëzit u besojnë autoriteteve që njoftuan për arritjen e vaksinave për nesër. Shteti ekziston për t’i shërbyer qytetarëve, vetëm në vendin tonë shteti ekziston për t’u vjedhur nga qeveria”, ka shkruar Mickoski në Facebook.

Vaksinimi I maqedonasve në Serbi kanis para disa javëve. Para një jave 100 punonjës të mediave u vaksinuan në Nish pas marrëveshjes që pati Asociacioni maqedonas I gazetarëve me homologët e tyre në Beograd.