Deputetja shqiptare fitoi mandatin e tretë në Parlamentin e Kroacisë

Shqiptarja nga Prizreni, Ermina Lekaj-Përlaskaj, ka fituar mandatin e deputetes në zgjedhjet që janë mbajtur dje në Kroaci.

Do të jetë hera e tretë që Lekaj-Përlaskaj do të përfaqësojë përveç shqiptarëve edhe pakicat tjera.

Pas mesnate mbrëmë vet ajo ka shpallur fitoren, duke falënderuar përkrahësit, që edhe në ato momente i kishte afër.

“Ekipi fitues. Faleminderit të gjithëve”, ka shkruar ajo.
Në intervistën për Lajm Tv disa ditë para zgjedhjeve, Ermine Lekaj ka numëruar të arriturat e shqiptarëve gjatë këtyre viteve, por theksoi edhe prioritetet në mandatin e ardhshëm . Këtu veçon avancimin e biznesit të shqiptarëve në Kroaci, rritjen e punësimit të shqiptarëve që kanë kryer shkollimin universitar në institucionet kroate, hapjen e shkollave dhe Qendrave të reja kulturore, kurse si ëndërr të veten e përmend hapjen e katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e njohur të Zagrebit. Lekaj Përlaskaj premtoi edhe forcim të bashkëpunimit të mëtutjeshëm të shqiptarëve të Kroacisë me bashkëkombasit në vendlindje, si dhe hapjen e dyerve të universiteteve kroate për studentë të interesuar shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia.