Deputetja Dauti sfidoi komisionin: Pa materialet në shqip s’ka seancë

Materialet e pa përkthyera në gjuhën shqipe shkaktuan tensione mes deputetëve në seancën e komisionit për mundësi të barabarta midis grave dhe burrave. Deputetja e Aleancës për Shqiptarët, Ilire Dauti e bllokoi foltoren pasi tha se ndihet e diskriminuar, raporton Portalb.mk.

“Kjo seancë ka filluar pa zbatimin e Kushtetutës dhe pa zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, ndërkaq këtu diskutohet për strategji, e cila në qendër të vëmendjes dhe fjalët kyçe i ka diskriminimin, dhunën psikologjike, nënçmimin e kështu me radhë”, tha Dauti.

Nënkryetarja e komisionit Vesna Gjorgjieva e akuzoi Dautin se me këtë sjellje po tenton të fitojë pikë politike.

“Nuk dua t’i manipuloni këta njerëz që kanë ardhur këtu në këtë diskutim publik për të arritur në përfundime, që do na ndihmonin shumë të gjithë neve dhe jo të fitojmë vetëm pikë politike”, tha Gjorgjieva.

Deputetja Dauti nuk lëvizi nga foltorja duke thënë se edhe Ministri shqiptar për politikë sociale Fatmir Limani e ka firmosur këtë dokument vetëm në gjuhën maqedonase. Ajo fajësoi edhe kryetarin e Kuvendit Afrim Gashin për mos intervenim të zbatimit të gjuhës shqipe në këtë komision.

Më pas, nënkryetarja e komisionit kërkoi pauzë për të printuar materialin në gjuhën shqipe për t’ua u dorëzuar deputetëve shqiptarë.

Deputetët shqiptarë të opozitës vazhdimisht ankohen se ka ngecje të përkthimeve të materialeve në gjuhën shqipe në Kuvend.

Kujtomë se ‘protesta’ e deputetes erdhi një ditë pasi studentët shqiptarë marshuan rrugëve në protestë pasi nuk u lejohet që provimin e jurisprudencës ta japin në gjuhën shqipe.