Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik me një qytetar të premten. Policia e Kosovës ka thënë se palët e përfshira në incident po intervistohen.
Rasti ka ndodhur gjatë një interviste me gazetarin Astrit Gashi, i cili ka bërë të ditur se për rastin është lajmëruar edhe Policia e Kosovës, që ka marrë pamjet e xhiruara nga kamera.
Ndërkaq Zemaj ka kërkuar falje për rastin. Ai ka thënë se reagimi që ka bërë nuk ia përfaqëson bindjet personale e as parimet si deputet.
“Sot gjatë një interviste publike ndodhi një situatë e pakëndshme, për të cilën ndjej keqardhje të sinqertë. Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do e vërtetojnë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në këto raste sulmi dhe fyerjesh të ulëta, sigurisht do duhej të ruaja qetësinë dhe dinjitetin në çdo rrethanë dhe pavarësisht provokimit, i cili nuk me ka ndodhë kurrë gjatë karrierës sime, dhuna, në çfarëdo forme, nuk është përgjigje e drejtë. Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, ka shkruar ai në Facebook.
Në fund ai ka thënë se e respekton çdo person për mendime a kritika. Ka thënë rasti duhet t’i shërbejë si mësim.
“Kam respekt të plotë për çdo person, për çdo mendim dhe çdo kritikë, pavarësisht se sa e ashpër mund të jetë ajo, e imja është te mos reagoj me emocione. Andaj duhet të më shërbejë si mësim për të qenë më i durueshëm dhe më i përmbajtur në çdo situatë. Faleminderit të gjithëve për mirëkuptimin”, ka përfunduar Zemaj.
Policia ka konfirmuar se palët e përfshira në incident po intervistohen.
“Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin ‘Ibrahim Rugova’ në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici. Për detaje shtesë do t’ju njoftojmë me kohë”, thuhet në njoftim.
Zemaj ka qenë edhe ministër i Shëndetësisë në Qeverinë Hoti. Ndërkaq si deputet ka siguruar postin në pesë mandate.




