Deputeti serb: Serbia shtet i vrasjeve politike

Serbia është bërë shtet i vrasjeve politike. Prapa nesh janë vrasjet politike të Ivan Stamboliqit, Zoran Xhinxhiqit, atentati në Vuk Drashkoviqin, vrasja e Curuvisë dhe së fundi vrasja e Oliver Ivanoviqit.

Këto deklarata i ka bërë sot nga veriu i Mitrovicës politikani opozitar serb, njëherësh deputet në Kuvendin e Serbisë, Borisllav Novakoviq, gjatë shënimit të përvjetorit të gjashtë të vrasjes së politikanit Oliver Ivanoviq, ku ndezën qirinj familjarë, miq, politikanë lokalë e më gjerë, si dhe qytetarë tjerë.

Novakoviq nga Lëvizja Popullore serbe, tha se Serbia nuk mund të jetë shtet i civilizuar, derisa këto vrasje mbeten të pazgjidhura dhe derisa vazhdojnë të ekzistojnë rrethanat për vrasje të tilla.

Novakoviq: Nuk do të qetësohemi derisa të zbulohen vrasësit, urdhërdhënësit dhe organizatorët

“Do t’ju përkujtoj dhe kjo e rëndon fuqishëm klimën politike në Serbi, se jemi bërë shtet i vrasjeve politike. Prapa nesh janë vrasjet politike të Ivan Stamboliqit, Zoran Xhinxhiqit, atentati në Vuk Drashkoviqin, vrasja e Curuvisë dhe së fundi vrasja e Oliver Ivanoviqit. Këto e rëndojnë ndërgjegjen e kësaj shoqërie. Serbia nuk mund të jetë shtet i civilizuar, derisa të gjitha këto vrasje mbeten të pazgjidhura dhe derisa të ekzistojnë rrethanat, mundësitë dhe një ambient që këto vrasje i bënë të mundshme. Janë të turpshme fjalitë të cilat i dëgjojmë nga përfaqësuesit e pushtetit. Do t’ju përkujtoj se në Kuvend kemi pasur rastin të dëgjojmë ministrin e policisë i cili akuzon Gjermaninë se e din kush është vrasësi dhe se e mbron atë. I njëjti, Gashiq, në kohën e vrasjes ka qenë kryesori në BIA, ndërsa në momentin kur jep deklaratë, e cila është e papërgjegjshme, është njeriu i parë i policisë serbe. Kështu nuk veprohet… Ne nuk do të qetësohemi derisa të mos zbulohen vrasësit, urdhërdhënësit, si dhe organizatorët e kësaj vrasjeje”, ka thënë Novakoviq.

Ndërkaq, Sërxhan Millivojeviq, deputet në Kuvendin e Serbisë nga Partia Demokratike, theksoi kërkesën e bërë në Kuvendin e Serbisë për formimin e një Këshilli që do të hetonte rrethanat e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, por të cilën, siç tha ai, regjimi i Vuçiqit nuk e lejoi kurrë.

Millivojeviq: Spoti për vrasjen e Ivanoviqit i publikuar 4 muaj para aktit, u nënshkrua nga Lista serbe

“Ne në Kuvendin e Serbisë kemi dorëzuar kërkesën për formimin e një Këshilli i cili do të hetonte të gjitha rrethanat e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Asnjëherë regjimi i Aleksandar Vuçiqit nuk ka lejuar formimin e këtij Këshilli… Urdhërdhënësit dhe inspiruesit e këtij krimi janë të njohur, ata janë të njëjtit të cilët spotet monstruoze i kanë sjellur në Tv Pink dhe Tv Most katër muaj para vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Do t’ju përkujtoj se ajo që quhet spot është nënshkruar nga Lista serbe, partnerit të koalicionit të Albin Kurtit. Ky regjim tradhëtar dhe mafioz mban në ndërgjegje këtë gjak të virgjër”, tha Millivojeviq.

Para të pranishmëve folën edhe Dejan Nedelkoviq, ish-bashkëpunëtor i Ivanoviqit dhe Savo Manojlloviq nga shoqëria civile, të cilët kritikuan organet e Kosovës, Serbisë, por edhe ato ndërkombëtare, që edhe pas gjashtë viteve të vrasjes, ende askush nuk është dënuar për këtë rast.

Vlen të theksohet se ish bashkëshortja e parë e politikanit të vrarë, Marina Ivanoviq, gjatë ndezjes së qirinjëve, tha shkurt para kamerave se “Ne që sot ndezim qirinj këtu jemi tradhëtarë të popullit serb. Veç këtë porosi desha t’ua dërgoj disave’. Mirëpo, përkundër insistimit të KosovaPress-it, ajo nuk pranoi të flasë më shumë për ta sqaruar domethënien e asaj që tha.