“Deputeti Kastriot Rexhepi e dinte për çfarë po nënshkruan” (Video)

Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski, mbrëmë në ClickPlus tregoi se si deputeti Kastriot Rexhepi, ka qenë i zëshëm për rrëzimin e qeverisë në periudhën kur po mblidheshin nënshkrimet. Nikollovski në studio solli edhe listat e nënshkruar dhe tha se Rexhepi me dijeni të plotë ka nënshkruar në të 4 listat, derisa vazhdimisht ka folur kundër Qeverisë dhe kryeministrit Zoran Zaev.

“Kur u iniciua tërë puna, ideja e deputetëve të partisë politike Besa ishte që të nënshkruhen të fundit në listë, kurse Rexhepi të jetë i 61-të. Aq shume fliste kundër Qeverisë dhe Zaevit, dëshiroi të jetë i 61-të dhe ja u nënshkrua. U nënshkrua në katër lista si deputeti i 61-të, pasi sipas tij, Qeveria duhet të binte. Edhe kjo ishte pak, në një intervistë që u realizua mes dy rretheve zgjedhore, ai tha se Qeveria duhet të bie”, deklaroi Nikollovski.

Por, deputeti Rexhepi, të hënën në Click Plus, tha se nuk e ka ditur se për çfarë ka nënshkruar në 4 lista dhe se vetëm ka ditur se një listë e ka nënshkruar për rrëzimin e Qeverisë, “Zaev 2”.

“4 fleta është dashur që të nënshkruhen dhe unë i kam thënë…
F.A: Pra është e saktë kjo që janë nënshkruar 4 fleta për 4 tema të ndryshme. Për rrëzimin e Qeverisë, për formimin e Qeverisë së re, për kryeparlamentarin dhe për zgjedhje të parakohshme.
Ky ishte informacioni, mirëpo ato letra që kemi nënshkruar ne nuk kanë pasur titull”.

Ljupço Nikollovski, sekretar gjeneral i LSDM-së, mbrëmë në emisionin “21 Analizë” tha se pas dështimit të opozitës për ta rrëzuar Qeverinë, temë kryesore e socialdemokratëve është përforcimi i shumicës parlamentare.

“Kur do të rrumbullakojmë qëllimin për një shumicë parlamentare stabile, demokratike dhe evropiane, kuptohet se do të diskutojmë se në cilën mënyrë vepruan partneret tanë të koalicionit. Për momentin element kyç është shumica parlamentare në Kuvend që duhet ta garantojmë”, tha Nikollovski.

Deputeti Kastriot Rexhepi, pikërisht ditën që duhet të votohej mosbesimi i Qeverisë, nuk shkoi në Kuvend. U paraqit vetëm nëpërmjet Facebook për të treguar se është mirë dhe me shpjegimin se përse nuk kishte shkuar në seancën për të votuar mocionin./TV21