Deputeti i NISMA-s: Kjo çka po bën VV, do të ndikojë në liberalizimin e vizave

Deputeti i NISMA-s, Haxhi Shala ka thënë se Albin Kurti ende pa ardhur në qeveri u ka premtuar amerikanëve largimin e taksës.

Shala, në RTV Dukagjini thotë se amerikanët kanë respektuar qëndrimet e Haradinajt për taksën, derisa ishte kryeministër.

“Siç duket Kurti është zotuar para amerikanëve se do ta largojë taksën pasi të formohet qeveria e re. Kjo nuk ndodhi, dhe amerikanët nuk i duan njerëzit me dy fytyra”.

Deputeti i NISMA-s thotë se rrugët e Kurtit me Amerikën duket se janë ndarë, përcjell Telegrafi.

“Edhe në takimin e Mynihut Kurti nuk pati asnjë takim me amerikanët derisa partnerët e tij nga LDK dhe Presidenti po ashtu patën mjaft takime me zyrtarë të SHBA”.

Shala thotë se taksa do ta rrëzojë Qeverinë Kurti pasi sipas tij LDK nuk është e interesuar të qëndrojë në një qeveri që ka raporte të acaruara me SHBA-të.

Anëtari i Komisionit për Integrime Evropiane thotë se revanshi I Qeverisë Kurti ndaj ambasadorëve me qëllim të emëroj njerëzit e saj do ta pengojnë liberalizimin e vizave.

“Largimi i njerëzve nga puna dhe i ambasadorëve janë elemente që merren parasysh nga ndërkombëtare. Kjo parti nuk po e zhvillojnë shtetin por po tentojnë ta kapin”, tha Shala.