Deputetët e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut sot e zgjodhën Bejzaroskin dhe Natasha Amdiun si anëtarë të Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, transmeton Portalb.mk.
Kandidatët e propozuar u miratuan me 62 vota “për” dhe një deputet abstenoi.
Kandidatea Xhihan Ahmed, sipas informacioneve të dhëna nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dje e tërhoqi aplikimin e saj me njoftim drejtuar Kuvendit.
Tërheqja e saj vjen pasi ajo u kritikua ashpër në opinion për paraqitjen e saj në intervistën publike, ku në vend që të fliste për Konventën e Stambollit, dokument thelbësor për mbrojtjen nga dhuna me bazë gjinore dhe barazinë gjinore, ajo foli për Stambollin dhe periudhën e Ataturkut.
Pavarësisht paraqitjes jo të mirë në intervistë, Xhihan Ahmed në profilin e saj shpërndau disa fotografi me liderin e Lidhjes Demokratike Izet Mexhiti, ku e falënderoi VLEN-in për emërimin e saj në këtë detyrë pa ndodhur ende. Ajo është parë edhe në fushatën zgjedhore të VLEN-it dhe në aktivitete partiake, ndërsa është anëtare e Kryesisë së Forumit të Gruas të Lëvizjes Demokratike.
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi ka gjithsej 7 anëtarë, dhe pas tërheqjes së Xhihan Ahmed, tani ka vetëm 6 anëtarë të zgjedhur.





