Deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës as pas për tentimit të shtatë radhazi, pasi kandidatja e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, për kryetare të Kuvendit, përsëri nuk u votua të dielën.
Seanca e radhës do të mbahet të martën, njoftoi kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari.
Në prag të seancës, përfaqësues të partive parlamentare veçse kishin paralajmëruar dështimin e radhës të seancëse, duke thënë nuk i kanë ndryshuar qëndrimet nga seancat e kaluara.
Gati tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, procesi ka ngecur për shkak të mospajtimeve mes disa prej partive më të mëdha parlamentare për postimin e kryetarit të Kuvendit.
Konstituimi i Kuvendit, i nisur më 15 prill, dështoi gjashtë herë radhazi, për shkak se partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare, Albulena Haxhiu.
Vetëvendosje i ka 48 ulëse nga 120 sa i ka Kuvendi i Kosovës.Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë më shumë se 57 vota, nga të paktën 61 vota të nevojshme për t’u zgjidhur, në katër herët që u hodh në votim.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si “figurë përçarëse”, derisa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nuk dëshiron ta votojë asnjë kandidat të partisë fituese.
Vetëvendosje ngul këmbë se Haxhiu është kandidate meritore dhe, përkundër se ka bërë thirrje për marrëveshje politike, ka hedhur poshtë mundësinë e propozimit të ndonjë kandidati tjetër pos saj.
Sipas Kushtetutës së vendit, partia fituese gëzon të drejtën për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, tha për Radion Evropa e Lirë se moskonstituimi i Kuvendit e ka vënë në pah jo vetëm mungesën e konsensusit politik, por edhe mungesën e vullnetit për të respektuar përgjegjësitë institucionale që dalin nga vetë rezultati i zgjedhjeve.
Ai theksoi se ngërçi institucional po zgjatet “në mënyrë të rrezikshme, duke thelluar krizën politike dhe duke e vendosur vendin në një rrugë të pasigurisë kushtetuese”.
Në seancën e sotme, deputetët duhet t’i zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët, në mënyrë që ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës përfundimisht.
Vetëm pas konstituimit të Kuvendit mund të hapet rruga për formimin e Qeverisë së re.
Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit, me rreth 42 për qind të votave, apo 48 ulëse.
Edhe për formimin e Qeverisë së re asaj i duhen të paktën 61 vota.
Pas LVV-së më së shumti vota fitoi PDK, me 24 ulëse, e pastaj LDK-ja me 20 sosh.
AAK dhe Nisma i fituan tetë ulëse, prej të cilave tri i takojnë kësaj të fundit.
Bashkimi Evropian ka thënë ditë më parë se Kosova duhet t’i formojë shpejt institucionet e reja./REL