Deputetet e PDK-së thonë se janë kërcënuar nga bashkëshorti i presidentes Osmani

Deputetja Partisë Demokratike të Kosovës, Floretë Zejnullahu ka thënë se bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, e ka kërcënuar atë përmes një letre pasi ajo kishte folur në Kuvendin e Kosovës për pasurinë e tyre. Ajo ka paralajmëruar se do të padis Prindon Sadriun për kërcenim.

Deputetja Zejnullahu ka thënë se kërcënimet në adresë të saj kanë ardhur pas publikimit të fakteve për jetën luksoze të familjes së tyre.

“Në letrën kërcënuese që më ka dërguar, bashkëshorti i presidentes shkon aq larg sa madje etiketon edhe mediat të cilat kanë publikuar fjalimin tim, si Gazetën Express dhe Insajderi, duke i përmendur me emra, pra ky pushtet dhe familjarët e tyre po tentojnë fjalën e lirë të deputetit dhe po kërcënojnë edhe të drejtën e mediave… Dua ta njoftoj publikisht bashkëshortin e presidentes se do të padis në organet e drejtësisë për kërcënimin dhe vet gjyqësinë që ka bërë ndaj meje menjëherë pas kësaj seance”, ka thënë Zejnullahu.

Një letër ka thënë se ka arritur në adresë të saj edhe deputetja tjetër e PDK-së, Ganimete Musliu. Sipas saj, letra është e dërguar nga presidentja Vjosa Osmani në adresë të deputetes në Kuvend, por që brenda saj ka qenë një letër e panënshkruar e bashkëshortit të presidentës, Prindon Sadriut.

Musliu ka thënë se letra e dërguar në emër të presidentes, përmbante një kërcënim për padi civile dhe arsyeja e përmendur ishte se deputetja Musliu në një prej televizioneve ka deklaruar se Prindon Sadriu është ambasadorë me korrespodencë dhe se të njëjtin e ka bërë ambasador bashkëshortja e tij.

“Meqë letrën e mora nga presidentja, po i drejtohem presidentes, Vjosë e nderuar, juriste që kokorisje fjalën çkapje sa herë të drejtohej një mikrofon, Presidenca nuk është për t;i shërbyer ty dhe familjes tënde, dërgesa e shkresës së një diplomati përmes presidentes është shkelje e ligjit dhe tentim për të bërë presion mbi deputetët e zgjedhur nga populli. Meqë burri juaj juaj më kërcënon mua me padi civile pse paskam thënë të vërtetën unë po ju pyes juve në çfarë cilësie më dërguar letrën e tij ju si presidente, më dërguat një letër pa nënshkrim, ma dërguat letrën e diplomatit të rezervistit apo të bashkëshortit tuaj, çka është ai, fëmijë që ka nevojë t’i dërgosh ti letrat e tij”, ka thënë Musliu.

Lidhur me fjalimin e saj ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit , Glauk Konjufca.

“Po ta tërheq vërejtën për shprehjet që përdorini, jo parlamentare në Kuvedn të Republikës së Kosovës. Tjera herë ta keni parasysh këtë vërejte, për të eliminuarshprehje të tilla të papërshtatshme dhe të padenja në Kuvend të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Doarsa Kica i është kundërpërgjigjur deputetes së PDK-së, Floretë Zejnullahu duke i quajtur deklarimet e saj shpifje.

“Është e jashtëzakonshme se si shpifja është krijuar në një standard këto ditë, kur kënaqshmëria me presidenten e vendit ka shkuar në ngritjen më të lartë në historinë në 60% ne kemi këtu persona që nuk janë në gjendje ta pranojnë këtë fakt, për më tepër dalin këtu e flasin për gjëra të pavërteta dhe harrojnë faktin që në historitë e mëparshme të presidentëve të mëparshëm kanë shkuar aq larg sa të paguajnë 6 mijë euro për një biletë të vetme në klas biznesi për zonjën e parë të Republikës së Kosovës por këto janë harruar. Çka përmendin tani, përmendin shpifje si ajo se zotëri Sadriu po e kryen rolin e ambasadorin kur ai nuk është emëruar ambasadorë ai është ministër në ambasadën në Shkup dhe është obligim i tij të zëvendësoj ambasadorin deri në emërimin e tij”, ka thënë ajo.