Deputetët e BDI-së kundër “idesë së Ali Ahmetit” për kryeministrin shqiptar 100 ditë, ose “3+1”

BDI nuk ka lëshuara asnjë kumtesë zyrtare për takimin e pardjeshëm të kryetarit të kësaj partie Ali Ahmeti me deputetët e sapozgjedhur. Siç kanë njoftuar burime partiake, Ahmeti nuk është ndarë i kënaqur sa duhet nga ky takim, sepse deputetët nuk i kanë dhënë dritë jeshile për idenë që kryeministri shqiptar të jetë në fund të mandatit sipas sistemit 100 ditë ose 3+1. “Kryetar më mirë të shkojmë në opozitë dhe pas katër viteve të kthehemi më të fortë, se sa të futemi të turperuar në Qeveri pa kryeministrin shqiptar. Askush më nuk do të na besojë. Më mirë të mos futemi fare në Qeveri se me propozimin nënçmues që kryeministrin ta kemi vetëm një vit në fund tëmandatit, ose edhe më keq, vetëm 100 ditë”, kanë qenë qëndrimet e deputetëve në takimin me Ahmetin. Të njëjtat burime partiake thonë se deputetet kanë kërkuar nga Ahmeti që mos të shetitet shumë nëpër korridoret e partive maqedonase me Artan Grubin, por të stacionohet në Reçicë dhe të tregojë se BDI është vendimtare, e jo parti që lutet për një copë pushtet.
“Ahmeti në vend se ti falënderoj deputetët për këtë përkrahje, është ndarë pak i hidhëruar. Ai si duket ka pasë për qëllim tua hedhe përgjegjësinë deputetëve për hyrjen në Qeveri pa kryeministrin shqiptar, por kjo nuk ka kaluar, por e kundërta, shumica e deputetëve të BDI-së kanë kërkuar nga Ahmeti që të vendos në interes të shqiptarëve, e jo nën ndikim të Artan Grubit e Musa Xhaferit që me çdo kusht duan BDI të jetë në pushtet”, kanë theksuar këto burime partiake.