Deponitë ende shqetësojnë struganët/ Merko: Janë ilegale, por nuk e ndotin ambientin

Deponitë e Strugës dhe fshatrave përreth mbeten shqetësim i madh i banorëve. Deponia e qytetit përveç se ndot mjedisin, përbën rrezik edhe për shëndetin e njerëzve. Prej vitesh kërkohet zgjidhje për të, por pa sukses.

Kryetari i Strugës Ramiz Merko e pranon se deponitë janë ilegale, ndërsa si shpresë të vetme sheh deponinë rajonale në Novac të Manastirit.

“Zgjidhje janë deponitë regjionale, për regjionin jugperëndimor dhe atë të Pellagonisë është paraparë deponi regjionale ne Novaci dhe sa kam informacione nga Ministria e Ambientit janë siguruar edhe mjete”, tha Ramiz Merko, kryetar i komunës së Strugës.

Shoqatat ekologjike prej vitesh luftojnë me këtë fenomen shqetësues. Thonë se deponia i sjell vetëm dëm Strugës, mjedisit, ujërave dhe shëndetit të qytetarëve.

“Deponia na ka sjellë dëme të mëdha në aspektin ekologjik, në të gjitha aspektet e mundshme ekologjike duke nisur nga ajri, toka, uji dhe kështu me radhë. Problemi më i madh është se në këtë deponi janë hedhur mbeturina të llojeve të ndryshme” , pohoi Berat Sela, shoqata ekologjike “Natyra”.

Por Merko insiston se deponia e Strugës nuk e ndot ambientin dhe nuk i sjellë asnjë dim Strugës pavarësisht asaj që thonë ambientalistët.

“Të gjithë ata që thonë se deponia aktuale e ndot ambientin, unë jam kundër dhe them që jo se kemi krijuar matje dhe e dimë si është situata”, tha Ramiz Merko, kryetar i komunës së Strugës.

Dy vite më parë për këtë deponi është ngritur padi civile. Është paditur Komuna e Strugës, Ndërmarrja publike dhe Ministria e Mjedisit, të cilët e bartin përgjegjësinë për zgjidhjen e problemit, por prej dy vitesh kjo lëndë zvarritet gjykatave dhe nuk ka asnjë epilog.

“Në atë vendgrumbullim janë hedhur mbi 80 mijë tonë plehra, me kalimin e kohës problemi shtohet dhe me këtë rriten edhe kostot për trajtimin dhe zgjidhjen e tij. Duhet zgjidhje për një deponi rajonale dhe nga ana tjetër nuk duhet të ketë deponi në territorin e Ohrit, Strugës dhe Debrecës, duke qenë se këto zona janë të mbrojtura nga UNESCO”, pohoi Gligor Katoski, avokat.

Për paditën tashmë të ngritur, kryetari i Strugës thotë se janë politika ditore të disa njerëzve që duan të duken më të mençur se kryetari që është i zgjedhuri i popullit.