Sektori për Punë të Brendshme Tetovë ka dorëzuar kallëzim penal kundër shtatë personave të dyshuar për organizimin e një skeme mashtrimi me qëllim përfitimin e dëmshpërblimeve financiare përmes inskenimit të pasojave të një aksidenti trafiku.
Sipas policisë, kallëzimi për veprën penale “Mashtrim” është ngritur ndaj A.B. (20) nga Reçica e Madhe, N.M. (66) nga Reçica e Vogël, I.I. (51) nga Tetova, A.R. (58) nga Tetova, I.R. (38) nga Gradeci i Gostivarit dhe N.M. (23) nga Koçani. Ndërsa ndaj A.B. (47) nga Tetova është ngritur kallëzim penal për “Ndihmë” në kryerjen e mashtrimit.
Sipas hetimeve, më 03.06.2025, pas një aksidenti të vërtetë trafiku mes dy automjeteve, dy të dyshuarit kryesorë kanë deklaruar në mënyrë të rreme se në aksident ishin përfshirë edhe katër persona të tjerë, ndonëse ata nuk kishin qenë pjesë e ngjarjes. Qëllimi ishte përfitimi i dëmshpërblimeve financiare.
Personi i shtatë, 47-vjeçari nga Tetova, dyshohet se ka luajtur rolin e “këshilltarit”, duke i udhëzuar të përfshirët se si të vepronin dhe duke i orientuar që të paraqiteshin në Spitalin Klinik të Tetovës si persona të lënduar nga aksidenti, me synimin për të kërkuar më pas kompensim monetar.





