Dënohen me 34 vite burgim pesë të akuzuarit për rrëmbim, dy prej tyre ish-policë

Gjilan- Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve V.K. M.I., B.N., V.K, dhe M.Z., duke i dënuar me 34 vite burgim, për rrëmbim të dy personave, ndërsa është liruar nga akuza i pandehuri F. S.

Aktgjykimi ndaj tyre u shpall të premten nga gjyqtari Ramiz Azizi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari V. K.(1), u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh, e akuzuara M. I. u dënua me burgim në kohëzgjatje prej 8 vitesh, i akuzuari B. N. u dënua me 7 vite burgim, i akuzuari V. K.(2) u dënua me 7 vite burgim dhe e akuzuarn M. Z. me 4 vite burgim.

Bazuar në këtë aktgjykim, V. K. M. I. B. N. dhe V. K. iu vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, ndërsa të pandehurit F. S. dhe M. Z. iu ndërpritet sot masa e paraburgimit.

Po ashtu, gjykata ka refuzuar kërkesën e prokurorit për zgjerimin e aktakuzës të propozuar në fjalën përfundimtare.

Kryetari i turpit gjykues, gjyqtari Ramiz Azizi, ka njoftuar palët se kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​

Sipas aktakuzës, thuhet se mes 16 dhe 17 shkurtit 2021, në një villë në komunën e Novobërdës, të pandehurit në bashkëkryerje kanë marrë dhe mbajtur të dëmtuarit Z. R. dhe A. A.

Tutje thuhet se të pandehurat M. I. dhe M. Z., fillimisht merren vesh që të dëmtuarit t’i joshin për marrëdhënie seksuale, ku aranzhojnë dhe shkojnë në një villë, me ç’rast në momentin kur hyjnë brenda, pas një kohe aty arrijnë të pandehurit V. K. (1978), B. N. dhe V. K.(1989), ndërsa i pandehuri F. S., ka qëndruar jashtë villës duke bërë roje.

Sipas orokurorisë, gjatë kohës kur tre të pandehurit kanë hyrë brenda villës, të njëjtit nën kërcënimin e armës, të dëmtuarit i kanë prangosur me pranga plastike, duke iu bërë video-incizime, të cilat ua kanë dërguar familjarëve të të dëmtuarve.

Gjithashtu, thuhet se të njëjtit gjatë periudhës sa të dëmtuarit kanë qenë të mbyllur ua kanë marrë portofolet dhe ndaj tyre kanë ushtruar edhe dhunë fizike, duke i goditur me shuplaka dhe armë.

Me këtë, ngarkoheshin për veprën penale “Rrëmbim” e paraparë në nenin 191, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nën paragrafin 2.1, 2.2, 2.3 dhe nenin 31 të Kodit Penal, është e dënueshme deri në 12 vite burg./BetimipërDrejtësi