Drejtoria e Policisë Financiare ngriti kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Dellçevës kundër S.S., në cilësinë e drejtorit të Ndërmarrjes Publike Komunale “Bregallnica” – PO Dellçevë, dhe kundër M.K., në cilësinë e udhëheqësit të një sektori në NPK “Bregallnica” – PO Dellçevë, për shkak të ekzistencës së bazave të dyshimit për kryerjen e veprës penale “Kryerje e pandërgjegjshme e detyrës” sipas nenit 353-c paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
“I denoncuari i parë, S.S., në cilësinë e drejtorit të Ndërmarrjes Publike “Bregallnica” – PO Dellçevë, në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2023, duke mos ushtruar mbikëqyrjen e duhur, ka vepruar me neglizhencë në kryerjen e kompetencave dhe detyrave të tij, në një mënyrë që nuk ka iniciuar dhe nuk ka dhënë urdhër për përgatitjen e padive për kërkesa monetare nga individë dhe persona juridikë në bazë të shërbimeve të përdorura, ujit të konsumuar, mbeturinave të mbledhura dhe qirasë së lokaleve nga Ndërmarrja Publike Komunale “Bregallnica” – PO Dellçevë, për shkak të së cilës kërkesat monetare janë vjetërsuar, duke e bërë të pamundur për kompaninë që t’i mbledhë ato”, thonë nga Policia Financiare.
I denoncuari i dytë M.K., në cilësinë e tij si Drejtor i Sektorit të Çështjeve të Përgjithshme, Ligjore dhe Financiare, dhe më vonë i Sektorit të Çështjeve të Përgjithshme dhe Ligjore në Ndërmarrjen Publike Komunale “Bregallnica” – PO Dellçevë, megjithëse ishte i detyruar ta bënte këtë, nuk ka krijuar sistem të përshtatshëm të kontrollit të brendshëm dhe nuk ka paraqitur rregullisht propozime për inicimin e procedurave për mbledhjen me forcë të borxheve të papaguara te drejtori i kompanisë. Veprimet e lartpërmendura shkaktuan dëm në Buxhetin e Ndërmarrjes Publike Komunale “Bregallnica” – PO Dellçevë në shumën totale prej 7.588.894 denarësh.




