Delegacion i SHBA-së për vizitë në Kosovë

Në Kosovë qëndron një delegacion i qeverisë amerikane i kryesuar nga Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA. Pjesë e këtij delegacioni, i cili deri më 25 shtator do të udhëtojë edhe në Beograd, Athinë, dhe Izrael, është edhe dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell. Çështjet të cilat diskutohen kryesisht kanë të bëjnë me bashkëpunimin ekonomik dhe stabilitetin rajonal si dhe në Lindje të Mesme. Kjo vizitë në Kosovë ndodhë pak javë pas nënshkrimit të marrëveshjes për normalizim ekonomik në mes të Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator, në prani të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.