NATO mund të vihet nën presion nga ambiciet e Shteteve të Bashkuara për Groenlandën. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thyer një tabu tjetër duke pranuar se mund të vihet përpara një zgjedhjeje mes aneksimit të ishullit dhe ruajtjes së Aleancës Atlantike.
Sipas tij, pa SHBA-të NATO nuk tremb askënd: “Rusia nuk shqetësohet aspak për të, përveç për ne. As Kina”, tha ai.
Ambiciet e Trump-it për Arktikun mbeten të paprekura: “Në një mënyrë apo në një tjetër, do ta kemi Groenlandën”, paralajmëroi ai, duke shtuar se Europa duhet të “rregullohet”. Presidenti e shoqëron deklaratën me një paralajmërim tregtar: “Nëse nuk e marrim Groenlandën, do ta marrin Rusia ose Kina, dhe unë nuk do ta lejoj këtë”.
Trump përdor një ton të njohur negociues, madje tall bashkëbiseduesin e tij, duke vënë në lojë edhe aftësitë mbrojtëse të Groenlandës: “Mbrojtja e tyre përbëhet nga dy slita tërhequr nga qen”, tha ai.
Këto deklarata kanë shqetësuar Europën dhe vetë Groenlandën. Qeveria e Nuuk-ut, që gëzon autonomi nga Kopenhaga, ka deklaruar se nuk mund të pranojë kontrollin nga SHBA-të dhe kujton se ishulli është pjesë e Danimarkës dhe NATO-s. “Mbrojtja e Groenlandës duhet të bëhet përmes NATO-s, nga të gjitha shtetet anëtare, përfshirë SHBA-të”, thuhet në deklaratë.
Edhe Shtëpia e Bardhë duket se ndan këtë koncept. Dje, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Mark Rutte, u përpoq për ndërmjetësim: “Të gjithë aleatët bien dakord mbi rëndësinë e Arktikut dhe sigurisë në këtë rajon, sepse me hapjen e rrugëve detare, Rusia dhe Kina mund të jenë më aktive”.
Një paralajmërim i ngjashëm vjen nga Komisioneri i BE-së për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, sipas të cilit një pushtim ushtarak i Groenlandës nga SHBA do të ishte “fundi i NATO-s”. Një ton më të ekuilibruar ofron kancelari gjerman, Friedrich Merz, duke theksuar: “Ndajmë shqetësimet amerikane për nevojën që kjo pjesë e Danimarkës të mbrohet më mirë. Duam ta përmirësojmë situatën së bashku dhe supozojmë se edhe amerikanët do të marrin pjesë”.
Në ditët në vijim pritet të zhvillohen bisedime formale me administratën amerikane, por qeveria gjermane thekson se për momentin nuk ka plane për të dislokuar trupa në Groenlandë, edhe pse Britania e Madhe kishte sugjeruar një zgjidhje të tillë më parë.
Arktiku po shndërrohet në një pikë kyçe të përballjes gjeopolitike, çka e konfirmon edhe Kina. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Pekinit paralajmëroi SHBA-të: “Nuk duhet të përdorin vende të tjera si pretekst për interesat e tyre egoiste. Aktivitetet e Kinës në Arktik janë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.




