Deklaratat e ministres serbe, reagon Elisa Spiropali: Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet

Ish-kryeparlamentarja dhe ish-ministrja e Jashtme, Elisa Spiropali ka reaguar ndaj deklaratave tronditëse të një ministreje në Serbi, se “Millosheviç duhet të kishte spastruar etnikisht Kosovën që në 1998”.

Përmes një reagimi publik, deputetja e PS, Elisa Spiropali shprehet se është e pabesueshme që një përfaqësuese e një shteti që aspiron anëtarësimin në Bashkimin Europian të shprehë keqardhje se në Kosovë: “nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar”.

Sipas saj, kush justifikon apo shpreh keqardhje që krimet nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të konsiderohet partner i vlerave europiane dhe duhet të mbajë përgjegjësi politike, institucionale dhe mbi të gjitha njerëzore.

Spiropali nënvizon se liria e Kosovës nuk ishte dhuratë, por u fitua me gjak, ndërsa kujtesa për viktimat duhet të mbetet një nga shtyllat themelore të Europës demokratike.

 

Reagimi i Elisa Spiropalit: 
E pabesueshme të dëgjosh nga një ministre e një qeverie të një vendi që aspiron integrimin europian të shprehë pa asnjë drojë keqardhjen se në Kosovë nuk u vranë mjaftueshëm fëmijë, gra, burra e të moshuar.
Zoti e ruajt këtë monstër që duartroket dhe glorifikon krimet.
Ky nuk është mendim politik.
Ky është barbarizëm verbal.
Europa nuk mund ta dëgjojë këtë gjuhë dhe të heshtë. Kush justifikon ose shpreh keqardhje për krime që nuk u kryen në përmasa edhe më të mëdha, nuk mund të jetë partner i vlerave europiane, duhet të mbajë përgjegjësi politike dhe institucionale, por më së shumti humane.
Kosovës nuk ia fali kush Lirinë. Kosova Lirinë e fitoi me gjak. Është në nderin dhe detyrën e Europës të mbrojë kujtesën e viktimave, që përbën themelin e parimeve mbi të cilat është ndërtuar.
Nëse Serbia rrugën drejt Bashkimit Europian e ka seriozisht, nuk mund të qëndrojë indiferente ndaj këtij makabriteti verbal që, më së paku, e turpëron, më së shumti ia rrezikon bashkëjetesën paqësore me fqinjët.